Paraditen e djeshme në orën 10.00, në Federatën Shqiptare të Futbollit u zhvillua një mbledhje me karakter informues në lidhje me organizmin e ndeshjes Shqipëri – Serbi, që do të zhvillohet më datë 8 tetor, në stadiumin “Elbasan Arena”. Në takim morën pjesë përfaqësuesi i sigurisë së UEFA-s Keni Skot, ambasadori i republikës serbe në Tiranë, Miroljub Zariç dhe përfaqësues të Federatës Serbe të Futbollit, zëvendësdrejtori i përgjithshëm i policisë Altin Qato, sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, Plarent Ndreca dhe përfaqësues të organizmave që kanë lidhje me zhvillimin e ndeshjes.
Në qendër të vëmendjes, së këtij takimi, ishin masat që do të merren në mënyrë që gjithçka në këtë ndeshje të shkojë sa më mirë. Sekretari i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit Ilir Shulku, që ishte edhe mikpritësi i takimit, pas përfundimit të tij, deklaroi për faqen zyrtare të FSHF: “Ishte një takim informues, në vazhdën e konsultave dhe takimeve që kemi zhvilluar gjatë gjithë kësaj periudhe, për organizimin sa më të mirë të kësaj ndeshjeje. Të gjithë të pranishmit, informuan në lidhje me masat që duhet të marrin në mënyrë që gjithçka të shkojë sa më mirë”. Pas përfundimit të takimit, përfaqësuesi i sigurisë së UEFA-s, të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe të Policisë së Shtetit, u nisën për në Elbasan ku inspektuan stadiumin “Elbasan Arena”.
Oficeri i UEFA-s për sigurinë vendosi që mediat të mos ishin të pranishme për asnjë moment në sallën e mbledhjeve, ndërsa i kërkoi të pranishmëve që detajet e diskutuara të mbahen “Top sekret”. “Çdo gjë është e detajuar. Është marrë një plan shumë i fort masash për sigurinë. Të gjitha janë në shërbim të ndeshjes, që të jetë sa më korrekte. Masat po merren mos të ketë incidente brenda dhe jashtë stadiumit. Shpresojmë që e gjithë kjo punë ti shërbejë rezultatit pozitiv drejt atij që është objektivi i Kombëtares” deklaroi Shulku. Ambasadori serb në Tiranë, Miroljub Zariç refuzoi të japë komente rreth mbledhjes apo kërkesave të palës që përfaqësonte. “E di që jeni mjaft të interesuar,shkruan Shekulli.
Por, keni pjesëmarrës të tjerë në mbledhje, unë nuk mund te komentoj”, është shprehur serbi. Siguria më 8 tetor në Elbasan Arena është në duart e Keni Skot. Bëhet fjalë për një prej zyrtarëve më të lart të UEFA-s, që shërben në rolin e Oficerit të Sigurisë për institucionin e Mishel Platini. Britaniku është i përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë në ndeshjen ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë. Madje, prej ngjarjeve të një viti më parë, kur sfida në Beograd u ndërpre mes dhunës dhe racizimit ndaj lojtarëve kuqezi. Keni Skot ishte zyrtari i lart i UEFA-s që bëri të pamundurën për vazhdimin e sfidës së 14 tetorit, duke anashkaluar thirrjet anti-shqiptare, incidentet dhe brutalitetin nga huliganët serbë.
