Ministria e Arsimit dhe Sportit të Shqipërisë nënshkroi sot marrëveshjen e bashkëpunimit mes saj dhe Federatës Shqiptare të Shahut dhe Federatës Evropiane të Shahut, me qëllim implementimin e projektit “Mësimi i Shahut në Shkollë”.
Projekti i mësimit të shahut në shkollë do të përmbajë mundësimin e marrjes së leksioneve dhe njohurive mësimore për shahun nga nxënësit e shkollave, nëpërmjet aktiviteteve ekstrakurrikulare në laboratorët e teknologjisë së informacionit, zhvillimin e orëve mësimore në formën e praktikave zbavitëse si dhe zhvillimin e garave sportive të organizuara.
“Ky projekt është goxha i vjetër dhe mbështetet në rekomandimet e Komisionit Evropian për përdorimin e shahut në shkolla. Tashmë mbi 10 vende të Bashkimit Evropian kanë implementuar këtë projekt. Ndaj, mua me vjen mirë që edhe ju e kuptoni se sa i rëndësishëm është shahu për zhvillimin e fëmijëve”, deklaroi presidenti i Federatës Evropiane të Shahut Azmaparaishvili.
Implementimi i marrëveshjes, si fillim në dhjetë shkolla në vend, do të realizohet edhe në kuadër të projektit të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit për kthimin e shkollave në Qendra Komunitare.
