Në shtator 2008, qeveritë e Brazilit dhe Norvegjisë ranë në një ujdi: nga ai moment deri në 2015-ën, vendi skandinav çdo vit do t’i paguante atij amerikano-latin shuma të konsiderueshme parash me kusht që Brazili të ulte në mënyrë të ndjeshme e të qëndrueshme shpyllëzimin e Amazonës.
Dhe Brazili ia doli, duke ulur me 75 për qind shpyllëzimin në “mushkërinë e Tokës” brenda këtyre shtatë viteve. Kështu që norvegjezët e respektuan marrëveshjen, dhe në dhjetor do t’i japin qeverisë braziliane 100 milionë dollarë. Kjo shumë u shtohet 900 milionë dollarëve të tjera që qeveria e Norvegjisë ka paguar që nga 2008-a.
Vitet e fundit Norvegjia ka bërë marrëveshje të ngjashme edhe me vende të tjera, mes të cilave Tanzania, Indonezia dhe Liberia. Këto marrëveshje janë pjesë e nismës NICFI (Nisma Ndërkombëtare e Norvegjisë për Klimën dhe Pyjet), e ideuar nga ministri norvegjez i Klimës dhe Mjedisit. Çdo vit NICFI u shpërndan rreth 300 milionë euro vendeve të ndryshme për luftimin e shpyllëzimit.
Falë ndihmës nga Norvegjia, Brazili i ka shtrënguar normat për mbrojtjen e mjedisit dhe e ka luftuar më lehtë problemin e shpyllëzimit. Sipas vlerësimeve, në shtatë vitet e fundit është arritur të shpëtohen rreth 53 mijë kilometra katrorë pyje amazoniane, e barabartë me më shumë se 14 milionë fusha futbolli.
Rezultatet pozitive po i shtyjnë dy shtetet ta zgjasin edhe më tej bashkëpunimin që është përshëndetur edhe nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-mun: “Ky është një shembull i shkëlqyer i bashkëpunimit ndërkombëtar që duhet të kemi për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme për planetin tonë”.
