Kryeministri Rama është treguar i prerë sot ndërsa ka thënë se nuk do të ketë asnjë lloj amnistie për bizneset që veprojnë në informalitet.
Kryeministri ka folur paraditen e sotme në Forumin e Biznesit Shqipëri-Itali, ku ka deklaruar se bota e sipërmarrjes në vendin tonë ka hyrë tashmë në një etapë të re dhe duhet të funksionojë me rregulla loje të barabarta. “Nuk do të ketë asnjë lloj tolerance, asnjë lloj amnistie ndaj askujt, ndërkohë që nuk do të ketë penalitete për ata që e deklarojnë mallin”, ka thënë Rama.
“Ajo që ne i ofrojmë sipërmarrësve sot nuk është një amnisti. Nuk ka për të pasur asnjë lloj amnistie, dhe asnjë lloj tolerance ndaj kujtdo që në inercinë e shkeljes së ligjit kërkon zgjatje kohe, por i ofrojmë vetërregullim, pra të deklarojë atë që kanë fshehur pa pasoja. Pra ne nuk do të kenë pasoja, në rast se atë që kanë fshehu r do ta deklarojnë dhe të nxitojnë ta deklarojnë sot, sepse nëse nesër do të jenë objekt i kontrollit do të duhet të përballen me pasojat ligjore”, tha kryeministri Rama.
Më tej shefi i qeverisë ka theksuar se, situata e trashëguar nga qeveria e mëparshme me një mal me borxhe të akumuluara ndaj subjekteve private do të marrë fund përfundimisht brenda pak muajsh. Ndikim në zhvillimin e biznesit do të ketë sipas tij edhe reforma në drejtësi, e cila nuk duhet të jetë një tjetër mandat letrash, por duhet të përmbysë korrupsionin.
Por gjatë këtij takimi me sipërmarrës shqiptarë dhe italianë, kreu i qeverisë Edi Rama ka shkëmbyer edhe batuta në sallë, duke dashur të tregojë se sa larg jemi ne sot ndaj heronjve dhe mendimtarëve tanë; Skënderbeut apo Leonardo da Vinçit.
“Ne jemi faktikisht dy popuj të ndryshëm por krejtësisht njëlloj tipologjie, njeriu dhe shoqërie. Sigurisht ju keni Leonardo Da Vinçin, ne kemi Skënderbeun, por po të shikojmë me sytë e të sotmes ju i ngjani Leonardos, saç i ngjajnë grekët e sotëm Platonit, dhe ne i ngjajmë Skënderbeut saç i ngjani ju Leonardos”, tha duke buzëqeshur Rama.
