Me këtë koncert ata u pritën ngrohtësisht më herët nga publiku prishtinas, i cili vazhdimisht përcolli interpretimin e tyre me duartrokitje të zjarrta, ndërsa sonte në mbrëmje ata janë në skenë për publikun në Tiranë.
“Këngë të paharruara” titullohet koncerti, që sjell sonte në mbrëmje në Pallatin e Kongreseve këngëtarët e njohur Kastriot Tutsha dhe Sinan Vllasaliu. Me këtë koncert ata u pritën ngrohtësisht më herët nga publiku prishtinas, i cili vazhdimisht përcolli interpretimin e tyre me duartrokitje të zjarrta, ndërsa sonte në mbrëmje ata janë në skenë për publikun në Tiranë.
Në koncertin “Këngë të paharruara” Kastriot Tusha dhe Sinan Vllasaliu do të performojnë këngë dhe melodi të pavdekshme nga zëri i këngës qytetare shqiptare, Isuf Myzyri, artist i popullit, nga i madhi i këngës tiranase Muharrem Gurra, nga legjenda e këngëve elbasanase Mustafa Bodini dhe nga bilbili i Gjakovës, Qamili i Vogël. “Dëshira jonë ka qenë për të ripërtërirë këngët e 4 emrave të mëdhenj, ne i kemi prurë këto këngë në mënyrën më origjinale të mundshme, porosia është që të mos harrohen këngët dhe të ringjallen. Shtetet ballkanike të tjera këtë pasuri e ruajnë me shumë xhelozi, i ruajnë perlat e veta në krijimtarinë e tyre, kjo duhet të respektohet dhe tek ne”, u shpreh këngëtari Sinan Vllasaliu për krijimtarinë muzikore.
Ndërkaq që këngëtari Kastriot Tusha tha se mesazhi është, që këngë të tilla ti transmetohen brezave. “Para një jave ishte koncerti që ne të dy zhvilluam në Prishtinë dhe e sjellim këtë koncert dhe në Tiranë. Koncerti zhvillohet me mbështetjen e RTK dhe presidentin e gazetës “Zëri” Remzi Ejupi. Mesazhi i koncertit është që këto këngë t’ia transmetojmë brezit të ri, sepse janë këngë të pavdekshme. Janë të ndara në 4 grupe nga 4 krijues, një koncert që është në drejtim artistik të Zeqir Sulkuqit, por nuk do të mungojë dhe krijimtaria me valle popullore që do të interpretohet në skenë nga grupi i valleve. Janë në këtë koncert këngët më të bukura”, pohoi këngëtari Tusha. Dy artistët sonte në mbrëmje do të shoqërohen nga formacioni “Isuf Myzyri”, që sipas drejtori artistik të koncertit, Zeqir Sulkuqi, është i përbërë me artistë që kanë dekada aktivitet artistik. “Koncerti do të shoqërohet nga një formacion me instrumente, që është nga Elbasani, “Isuf Myzyri”, formacion që ka në përbërje artistike artistë mbi 30-35 vjet në skenë. Ky është një koncert, i cili do të përcjellë krijimtarinë më të mirë të këtyre 4 emrave të mëdhenj të muzikës”, pohoi Sulkuqi. Koncerti pas Tiranës do të vijojë dhe në skenën e Shkupit.
