Nesër është Kurban Bajrami festa e madhe e besimtarëve myslimanë. Me këtë rast edhe Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka përcjell urimet më të mira për besimtarët shqiptarë por jo vetëm, duke u lutur për më shumë paqe, begati e harmoni në familjet dhe shoqëritë tona.
Ishte nënkryetari i KMSH-së Bujar Spahiu i cili përcolli urimet dhe tha se në këtë festë afrohen zemrat, harrohen urrejtjet, njerëzit shtrijnë dorën e pajtimit, ripërtërihen lidhjet shoqërore e njerëzore, me dashuri e sinqeritet, derisa çdo shtëpi dhe familje të mbushet me gëzim e hare.
Ky është edhe qëllimi i lartë shoqëror që mbart në vetvete feja Islame, një shoqëri e lumtur, ku çdo zemër të mbushet me dashuri, mirësi e kënaqësi.
“Nesër është Kurban Bajrami, festa që simbolizon, sakrificën sublime të njeriut të përsosur, dhe shënjon kulmin e bindjes, besnikërisë dhe dashurisë ndaj Allahut të plotfuqishëm. Kuptimi i kurbanit dhe sakrificës në Islam, nuk qëndron në derdhjen e gjakut të një kafshe, por në aktin e bindjes. I Plotfuqishm i thotë: “Tek Allahu nuk arrin as mishi e as gjaku i tyre, por tek Ai arrin bindja juaj…” Në këtë festë afrohen zemrat, harrohen urrejtjet, njerëzit shtrijnë dorën e pajtimit, ripërtërihen lidhjet shoqërore e njerëzore, me dashuri e sinqeritet, derisa çdo shtëpi dhe familje të mbushet me gëzim e hare. Ky është edhe qëllimi i lartë shoqëror që mbart në vetvete feja Islame, një shoqëri e lumtur, ku çdo zemër të mbushet me dashuri, mirësi e kënaqësi. Sa njerëz ka sot, që janë të zhytur në varfëri të thellë, e për shkak të mbrojtjes së nderit dhe dinjitetit nuk kërkojnë lëmoshë! Ne ndoshta i harrojmë, mirëpo të tillë kemi plot afër nesh. Kjo harresë nuk na bën ne të lumtur, nuk e bën shoqërinë më të mirë. Prandaj, le ta tregojmë veten të vetëdijshëm gjatë festave tona dhe të ndiejmë atë që ndiejnë nevojtarët! Le të pakësojmë dëfrimin dhe teprimin, e t’ua ofrojmë atyre që kanë nevojë. Le t’i for cojmë dhe mbajmë lidhjet vëllazërore fuqimisht, jo vetëm gjatë ditëve të festave, por në çdo kohë. Sot kur në qendrën e gjithësisë, në Meke, po luten miliona njerëz për paqen dhe lumturinë e njerëzve, unë dëshiroj dhe i lutem Zotit te Madhëruar që kjo festë të sjellë në shtëpitë e shqiptarëve, më shumë mirësi, afrimitet dhe dashuri mes njëri-tjetrit, në të mirë të shoqërisë, kombit dhe gjithë njerëzimit. Zoti e bekoftë kombin dhe atdheun tonë”, uroi nënkryetari Spahiu për Kurban Bajramin.
Bajrami do të falet nesër në orën 07:10 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara ish – Hotel Dajtit në Tiranë, ku krerët e Komunitetit do të mbajnë edhe ligjëratat përkatëse.
