Vushtrri: E kërcënojnë kryetarin e komunës!

НАЈНОВИ ВЕСТИ

Kryetari i komunës së Vushtrrisë, Bajram Mulaku, sot në mëngjes është kërcënuar me kallashnikov nga një qytetar, derisa ai po shkon në zyrën e tij në komunë.
Kërcënimin me kallashinikov për Veriu.info e ka konfirmuar vet kryetari Mulaku, i cili ka treguar se edhe më herët është kërcënuar nga i njëjti person, i cili i kishte kërkuar punësim si drejtor, madje jo në institucionin e komunës, por në Qendrën e regjistrimit civil dhe të automjeteve në Vushtrri, e cila menaxhohet nga Ministria e Punëve të Brendshme.
“Sot në ora 7:50 Muhamet Mërnica më ka dalë në rrugën ‘Shotë Galica’, ku me veturë ia ka bllokuar rrugën veturës time zyrtare, me ç’rast ma ka drejtuar Kallashnikovin e më ka kërcënuar me vrasje. Në veturë me mua përveç shoferit, kanë qenë gruaja dhe dy fëmijët e djalit, të cilët përgjatë rrugës për në komunë kam pasur t’i lë në kopshtin e fëmijëve ‘Diari’. Kërcënuesi më ka thënë se i paske fëmijët me veti se në vend të kisha vrarë”, rrëfen Mulaku.
I pari i Vushtrrisë tregon se kërcënuesi i ka kërkuar ta realizojë një kinse marrëveshje për të cilin ai thotë se nuk ka ekzistuar asnjëherë.
“Kërcënuesi më ka thënë nëse e lajmëroj rastin në polici, kam me t’i vrarë djemtë”, thotë Mulaku.
E gjithë ngjarja terrorizuese ndaj kryetarit Mulaku dhe familjes së tij, ka zgjatur rreth 5 minuta, ku më pas vetura e kryetarit është tërhequr prapa për shkak të bllokadës dhe kërcënimit që ia ka bërë kërcënuesi.
Këtë rast për e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, i cili ka thënë për këtë rast janë arrestuar dy persona dhe është konfiskuar një armë.