Zëvendës- ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Hoyt Yee ka kërkuar sot zgjidhjen e krizës në Maqedoni në bazë të parimeve demokratike dhe kushtetutës.
“Qeveria dhe partnerët e saj patjetër duhet të angazhohen për zgjidhjen e krizës në bazë të parimeve demokratike dhe Kushtetutës, por patjetër duhet shikuar se a ka pasur keqpërdorime nga pushteti”, porositi zyrtari i lartë i administratës amerikane pas takimit me kryeministrin Nikola Gruevski.
Sipas tij, kjo krizë ka aspekte dhe qasje të ndryshme. “Një nga ato aspekte është edhe informata për mundësi të korrupsionit, ndikimin e qeverisë ndaj mediave, gjyqësorit, keqpërdorimet e mundshme zgjedhore, ashtu si edhe keqpërdorime të tjera të mundshme nga pushteti. Kemi folur për rëndësinë e tejkalimit të kësaj krize, për përgjegjësinë e qeverisë dhe respektimin e vlerave themelore demokratike dhe të Kushtetutës, por edhe për përgjegjësinë nga qeveria e zgjedhur, e cila duhet të zbatojë ate që ka premtuar”, deklaroi zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i shtetit për Evropë dhe Evroazi, Hoyt Yee.
Ai nënvizoi se situata me përgjimet, por edhe keqpërdorimet e mundshme nga pushteti duhet të zgjidhen në rrugë legale. Zyrtari amerikan gjithashtu bëri thirrje që opozita të kthehet në Parlament, raporton INA.
“U dakorduam që kriza duhet të zgjidhet në rrugë legale sa i përket përgjimeve dhe transmetimit të audioregjistrimeve. Kjo është një aspekt i rëndësishëm që ne duhet respektuar. Ne kemi inkurajuar qeverinë dhe institucionet e saj që të ndërmarrin hapa për t`u verifikuar se a janë të vërteta insinuatat dhe akuzat ndaj liderit të opozitës, përfshirë edhe informatën e publikuar për mundësi të korruptimit të personave zyrtar, përdorimit joadekuat të ndikimit qeveritar ndaj mediave dhe sistemit gjyqësor, por edhe për mundësinë e keqpërdorimeve zgjedhore dhe keqpërdorime të tjera”, deklaroi zyrtari i lartë amerikan Hoyt Yee.
