Hydajete Bushaj
Një lajm i mirë për pushuesit shqiptarë dhe të huaj, që kanë zgjedhur verën 2015, për të bërë pushimet. Plazhet shqiptare, në të gjithë vijën bregdetare janë më të pastër se një vit më parë dhe padyshim kampione është…Velipoja. Por nuk mbeten pas as plazhet e mrekullueshëm të Adriatikut dhe të Jonit, si në Shëngjin, Durrës, Kavajë, Himarës, Borshit, Qeparoit, apo Sarandës. Rezultatet e cilësisë së ujërave, përgjatë gjithë vijës bregdetare në vend u prezantuan dje nga Ministri i Mjedisit, Lefter Koka dhe Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit Julian Beqiri. Nga monitorimi dixhital i kryer në 78 pika të ndryshme, në 12 plazhe të vendit rezulton se janë ulur plazhet me ndotje të lartë, krahasuar kjo me të njëjtën përiudhë të një viti më parë.
Ministri Koka u shpreh i kënaqur që nga rezultatet vihet re një rritje e cilësisë së ujërave bregdetare me 20 për qind krahasuar me një vit më parë. Ministri i Mjedisit i bëri thirrje drejtuesve të pushtetit vendor që të marrin masat e nevojshme dhe të punojnë deri në ditën e fundit të mandatit për të siguruar një mjedis të pastër. “Gjej rastin t’u shpreh mirënjohjen disa prej komunave apo bashkive që kanë punuar mirë në këtë drejtim si në plazhin e Kavajës, Durrësit, Sarandës, Qeparoit, Shëngjinit apo Velipojës, të cilët me të vërtetë kanë një situatë relativisht shumë pozitive. U bëj thirrje edhe njëherë të gjithë kryetarëve të komunave dhe bashkive që të marrin masat e nevojshme.
Detyrimet vazhdojnë deri në ditën e dorëzimit të detyrës. Është një mision, një detyrë funksionale e tyre për të përmirësuar gjendjen në ato zona ku është e nevojshme.”- tha ministri Koka. Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, Julian Beqiri prezantoi në detaje monitorimin e kryer në 78 pika të ndryshme ne 12 plazhe të vendit duke theksuar se për herë të parë Agjencia po kryen monitorimin dixhital të mjedisit. Agjensia Kombëtare e Mjedisit (AKM) ka kryer monitorimin per plazhet: Velipojë, Shëngjin, Durrës, Gjiri i Lalzit, Kavajë, Vlorë, Sarandë, Ksamil, Dhërmi, Himarë, Qeparo dhe Borsh.
Plazhi i Durrësit
Në 21 pika të monitoruara nga viti 2014 në 2015 kemi përmirësime të dukshme në cilësinë e ujërave. Në qoftë se në vitin 2014 për plazhin e Durrësit kishim 13 pika problematike, në vitin 2015 kemi vetëm 5 pika përsa i përket serisë së parë të monitorimit. Një përmirësim i dukshëm në plazhin e Durrësit është bërë në drejtim të disiplinimit të shkarkimeve urbane. Pjesa më problematike e plazhit të Durrësit, te Shkëmbi i Kavajës, ishte futur në sistem kanalizimesh deri te Përroi i Agait, ku shkarkimet urbane të lëngëta me anë të stacioneve të pompave të ngritura përgjatë bregdetit kalojnë në impiantin e Trajtimit të Ujërave Urbane të Durrësit, për t’u trajtuar. Gjatë inspektimit nuk u konstatuan shkarkime urbane në det nga subjektet. Nga shkarkimet e Kanalit të Madh te Plepat nuk kundërmohej era karakteristike purifikuese e shkarkimeve urbane të viteve më parë. Edhe në analizat mikrobiologjike të kryera në këtë pikë monitorimi ka një përmirësim të dukshëm të rezultateve.
Kavaja
Në bregdetin e Kavajës janë bërë përmirësime të dukshme në sistemin e largimit të shkarkimeve urbane të lëngëta dhe në infrastrukturë, por akoma nuk mund të thuhet se në këtë plazh kanë mbaruar të gjitha lidhjet, sidomos ato dytësore dhe terciare. Shkarkimet urbane te Përroi i Agait, i cilësuar si një zonë problematike, pompohen për tek Impianti i Trajtimit të Ujërave Urbane të Durrësit, duke sjellë përmirësime të dukshme në cilësinë e ujit në këtë zonë. Gjatë segmentit nga Përroi i Agait deri në pikën fundore të monitorimit, tek ish-Fusha e Sportit, të cilën e kap zona e Qerretit janë vënë në funksion 5 stacione pompimi, të cilat bëjnë largimin e shkarkimeve urbane të lëngëta drejt Impiantit të Trajtimit të Ujërave Urbane në Kavajë, ku dhe në këtë të fundit është bërë zgjerimi i vaskave ekzistuese.
Shkarkimet urbane të zonës nga Kompleksi Murrizi deri te Policia, të cilat vitet e mëparshme drenoheshin nëpërmjet një kanali të hapur në natyrë, ishin futur në sistemin e kolektorit kryesor. Në këtë kolektor shkarkohen ujërat urbane të gjithë bizneseve në të dy anët e rrugës. Ndërkohë që për lidhjet dytësore në këtë segment janë bërë vetëm rreth 20 për qind të tyre. Subjektet e tjera vazhdojnë akoma me gropa septike. Nga analizat mikrobiologjike për serinë e parë të para fillimit të sezonit turistik rezulton se, nga 10 pika monitorimi vetëm 3 prej tyre rezultojnë me ngarkesë mikrobiologjike të lartë. Ndërsa, në të njëjtën periudhë të vitit 2014 ndotja bakteriale ka qenë shumë herë më e lartë, dhe pothuajse në të gjitha pikat e monitorimit.
Më shumë det i pastër në Jon dhe Adriatik
Plazhi i Sarandës
Përmirësime në largimin e ujërave urbane janë bërë dhe në qytetin e Sarandës, ku Impianti i Trajtimit të Ujërave urbane është vënë në funksion, ç’ka u vërtetua dhe nga analizat mikrobiologjike të ujërave të marra në pikën e monitorimit në Kanalin e Çukës ku ndotja mikrobiologjike rezultoi shumë herë më e ulët se një vit më parë, në periudhën para fillimit të sezonit turistik. Megjithatë, në këtë plazh ka akoma shkarkime të subjekteve, që derdhen direkt në det, duke shkaktuar ndotje të konsiderueshme të ujërave te pika e monitorimit në plazhin e ri.
Plazhi i Ksamilit
Në Ksamil, cilësia e ujërave të detit në serinë e parë, para fillimit të sezonit të larjes, vazhdon të mbetet shumë e mirë. Në inspektimin e kryer u konstatua se, nga subjekte private kishin filluar të merreshin masa higjeno-sanitare në pastrimin e rërës dhe në vendosjen e koshave të mbeturinave, si dhe nyjeve higjieno-sanitare
Plazhi i Qeparoit
Përmirësime të dukshme në krahasim me një vit më parë janë bërë dhe në plazhin e Qeparoit, ku të gjitha shkarkimet urbane të banesave që shtrihen përgjatë vijës bregdetare, në pjesën e sipërme të saj, janë futur në sistem kanalizimesh. Në këtë plazh nuk ka shkarkime urbane të subjekteve. Rezultatet analitike të kryera për vitin 2015, në serinë e parë rezultojnë brenda normave për cilësinë A- Cilësi e Shkëlqyer e Ujërave, e krahasuar me rezultatet e një viti më parë , ku ndotja mikrobiologjike ishte e një shkalle të lartë.
Plazhi i Vlorës
Në plazhin e Vlorës vazhdon të ketë shkarkime të ujërave urbane, në zonën te Shkolla e Marinës, e cila vërtetohet dhe nga rezultatet mikrobiologjike të ujërave në këtë pikë, ku si në vitet e mëparshme ndotja vazhdon të mbetet e lartë. Gjithashtu, impianti i trajtimit të ujërave urbane vazhdon të mos funksionojë. Plazhet e tjera të monitoruara rezultojnë të pastra.
Plazhi i Shëngjinit
Përmirësime të dukshme në sistemin e largimit të shkarkimeve urbane janë bërë dhe po vazhdojnë të bëhen dhe në plazhin e Shëngjinit, ku shkarkimet urbane mblidhen në sistemin e kolektorit kryesor për t’u derdhur në impiantin e trajtimit të ujërave urbane të Lezhës. Duke e bërë që ky plazh të renditet në plazhet me cilësi shumë të mirë të ujërave. Plazhet e tjera të monitoruara për serinë e parë, para fillimit të sezonit turistik, si plazhi i Velipojës, Dhërmiut, Borshit rezultojnë të pastra, sipas analizave mikrobiologjike të kryera për serinë e parë të monitorimit.
Përfundimet nga inspektimet higjieno-sanitare
Faktori kryesor i ndotjes së ujërave bregdetarë të larjes mbeten shkarkimet e ujërave urbane të pa trajtuara në ujërat pritëse bregdetare në mënyrë direkte dhe indirekte, të cilat shkaktojnë ndotje të ujërave bregdetarë të larjes;
Në plazhet, në të cilat janë ngritur dhe funksionon sistemi i kanalizimeve të shkarkimeve urbane vërehet përmirësim i cilësisë së ujërave, siç janë plazhi i Kavajës, Durrësit, Sarandës, Qeparoit, Shëngjinit, Velipojës etj.
Mosfunksionimi i impianteve të trajtimit të ujërave urbane, si në Vlorë, reflektohen impakte negative të ndotjes së ujërave dhe përkeqësimin e gjendjes së cilësisë së ujërave të larjes, siç është plazhi te Shkolla e Marinës.
Nga inspektimet higjieno-sanitare të bëra në terren dhe rezultatet analitike, rezulton se përmirësimet në infrastrukturën e kanalizimeve dhe shërbimeve të tjera në dobi të popullatës, në krahasim me një vit më parë, në të njëjtën periudhë monitorimi kanë sjellë përmirësime të dukshme në cilësinë e ujërave larëse, duke ulur ndjeshëm ndotjen e tyre. Këtu përmendim investimet e bëra në infrastrukturë në plazhet e Shëngjinit, Velipojës dhe në plazhin e Durrësit, Kavajës, Qeparoit, Sarandës etj.
Vërehet mosmarrja e masave nga Pushteti Vendor Lokal, në plazhet publike në drejtim të pastrimit të rërës së plazheve, vendosjen e nyjeve higjieno-sanitare, dusheve publike dhe në menaxhimin e mbeturinave të ngurta.
Propozimet
“Indaco”, një blog italian për të pasionuarit pas udhëtimeve në Ballkan, ka renditur dhjetë vendet më të mira për t’u vizituar në Shqipëri. Sipas këtij blogu Shqipëria, vetëm dy hapa larg Italisë ofron për të pasionuarit pas aventurave det, pyje të virgjëra, qytete antike, kuzhinë të mrekullueshme dhe një popull befasues. Këto vende janë:
1 Një shëtitje mbi liqenin e Komanit deri në Fierzë, Valbonë e Theth
2 Tirana, simboli i Shqipërisë së re, Pogradec
3 Përshkimi i parkut natyral të Llogarasë dhe rruga spektakolare që zbret drejt Dhërmiut
4 Notimi në ujërat e Drimadhës duke ngritur shikimin drejt maleve
5 Vizita në qytetet e Beratit dhe Gjirokastrës me shtëpitë e tyre karakteristike, kështjellat
6 Vizitat në bunkerët dhe ndërtesat e vjetra të regjimit komunist
7 Kampingu në një nga pyjet e virgjëra të Shqipërisë
8 Të marrësh një fugon, të flasësh me shqiptarët dhe të dëgjosh historitë e tyre të jetës
9 Vizitë në qytetin antik të Butrintit, në Ksamil dhe Syrin e Kaltër
10. Të hash mishin e qengjit dhe të shijosh kuzhinën e vërtetë shqiptare
A e dini se ku duhet t'i kaloni pushimet në Shqipëri
НАЈНОВИ ВЕСТИ
Agjencisë Kombëtare e Mjedisit prezanton rezultatet e monitorimit të cilësisë së ujërave bregdetare për vitin 2015. Nga 12 plazhet kryesojnë Velipoja, Dhërmiu, Qeparoi dhe Borshi. Më keq, plazhi te Shkolla e Marinës në Vlorë
