Autocensura ky virus i rrezikshëm

НАЈНОВИ ВЕСТИ

Pierluigi Battista
Në Francë “Le Monde” ka zbuluar se pas dehjes së “Je suis Charlie” që ndodhi pas kasaphanës së Parisit, ka ardhur çasti i vetëmohimit për të gjorin Charlie. Në fakt, ajo shkruan se shumë vizatues dhe karikaturistë, të kontaktuar nga “Charlie Hebdo” për të vazhduar bashkëpunimin me atë të përjavshme që për një ditë të vetme u adhurua nga të gjithë si llogorja e fundit e fjalës së lirë, kanë kërkuar shprehimisht që emri i tyre të fshihej.
Është “virusi i censurës” që po i infekton të gjithë, sikurse e quan opinionisti Michel Guerin? Është fitorja e frikës, terrori që ka qëlluar në shënjestër? Dhe me çfarë shpejtësie solidariteti universal fillimisht ngeci dhe më pas u zhduk karshi karikaturistëve “satanikë” që u masakruan nga luftëtarët e fanatizmit islamist.
Edhe në Danimarkë, pas atentateve të disa javëve më parë, gazetat e blinduara ushtarakisht që guxuan të sfidonin mllefin e fundamentalistëve, u rreshtuan në një spondë më pak të ekspozuar ndaj rrezikut të raprezaljeve të armatosura të atyre që me pretekstin e «blasfemisë», vrasin dhe shkaktojnë mizori. Ka fituar frika? Po përhapet «virusi i censurës» dhe i autocensurës?
Karikaturistët kanë frikë të hyjnë në internacionalen e të padukshmëve të cilët, pasi janë caktuar si shënjestra të hakmarrjes islamiste, po fshihen, po zhdukin çdo gjurmë, ndryshojnë identitet nën mbrojtjen e policisë. Facebook në Turqi i ka hequr karikaturat që konsiderohen blasfemike. Në Londër, te muzeu Albert dhe Viktoria një pikturë e Muhamedit, jo edhe aq blasfemike, është hequr për të shmangur paraprakisht çdo polemikë. Ayaan Hirsi Ali, që sapo ka botuar një libër, nuk mund ta prezantojë në publik për arsye sigurie.
Po përse disa karikaturistë, vizatues të lirë, anarkistë, transgresivë, ironikë duhet të bëhen heronj? Përse të rrezikojnë të vdesin për lirinë e tyre të të shprehurit nëse shoqëritë që e kanë kthyer lirinë e fjalës në një parim në dukje të panegociueshëm, në të vërtetë po tërhiqen, po flasin për lirinë që kthehet në “licencë”, nëse autoritetet fetare e konsiderojnë “fyerje” lirinë e kritikës, qofte edhe atë me qesharake dhe të lehtë?
Charlie Hebdo është sërish një gazetë e vetmuar, ashtu sikurse ishte përpara kasaphanës së janarit. Kur publikonin karikaturat e përfolura, pakkush e shihte atë gjest të guximshëm si një shembull për t’u ndjekur. Për shkak të frikës. Dhe për censurën që po rritet brenda nesh, duke u kthyer në një autocensurë tepër të fuqishme. Një virus shkatërrues për vlerat tona./ Corriere della Sera