Avokati i Popullit Memeti për "10 minuta": Gjyqësori i politizuar, Qeveria nuk bashkëpunon me mua

НАЈНОВИ ВЕСТИ

Avokati i Popullit Ixhet Memeti, në emisionin “10 Minuta”  të TV 21 u ankua për mungesën e bashkëpunimit mes institucionit që drejton dhe Qeverisë. Ai gjithashtu tha se gjyqësori vazhdon të mbetet problemi kryesor i qytetarëve.
“Unë informova qeverinë, se kam probleme nga qeveria. Para disa ditëve mora përgjigje, se ata, atë shqetësim timin dhe masat që unë kërkoj t’i marrin, ia kanë përcjellë Ministrisë për Punë të Brendshme, por jam i bindur se nuk do të dalë asgjë edhe prej kësaj. Dhe nuk pres nga kjo strukturë qeverisëse që të fillojë bashkëpunimi”, vlerëson Memeti.
Lidhur me rastin e përgjimeve, Avokati i Popullit theksoi se për të ky rast nuk është i mbyllur “Unë publikisht e them se atë procedurë nuk e kam mbyllur. Diku me 20 tetor, në bazë të marrëveshjes politike për dalje nga kjo krizë duhet të zgjidhet qeveria e re. Unë do të vazhdoj me ministrin e ri që do të vijë, të kërkoj që ta zbardhë rastin e përgjimeve”, theksoi ombudspersoni.
Sa i përket burgjeve, Memeti vlerësoi  se ato janë në gjendje të mjerueshme. “Për fat të keq, burgjet në R.Maqedonisë janë në atë gjendje të mjerueshme në të cilën janë, nuk është problemi aq i madh se janë në atë gjendje, se sa është shqetësimi se pse pushteti nuk merr masa që të përmirësojë kushtet hapësinore, si dhe  t’i përmirësojë kushtet në këto institucione”, tha ai.
Duke folur për gjendjen e të burgosurve në rastin e Kumanovës, ai ceku se gjendja e tyre vjen duke u përmirësuar dhe se institucioni që ai drejton e ndjek këtë rast edhe më tutje.
Intervistoi: Furkan Saliu