Delegacioni i Republikës së Kosovës i udhëhequr nga ministrja për Dialogun Edita Tahiri, njëherësh kryenegociatore në dialogun teknik të Brukselit, ka marrë pjesë në takimin e dytë për çështjen e migrimeve ilegale në Bruksel, të organizuar nga Komisioni Evropian. Takimi është mbajtur me qëllim të vlerësimit të situatës në çështjet e migrimit ilegal në Kosovë, si dhe të masave që lidhen me parandalimin e kësaj dukurie.
Në takimin bilateral ndërmjet delegacionit të Kosovës dhe përfaqësueseve të Komisionit Evropian, janë vlerësuar pozitivisht angazhimet e Qeverisë së Kosovës në ndaljen e dukurisë së migrimeve ilegale të qytetarëve të Kosovës në vendet e BE-së, angazhime këto që janë bërë në bashkëpunim me Komisionin Evropian, vendet që janë përballë me këto migrime dhe vendet nëpër të cilat kanë ndodhur lëvizja e qytetarëve drejt destinacioneve që kanë synuar.
Ministrja Tahiri me këtë rast ka kërkuar që të shpejtohet liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës për t’ju mundësuar atyre të përjetojnë lëvizjen e lirë, ndërkohë që Qeveria e Kosovës do të jetë në nivelin e duhur të përgjegjësive për të implementuar rregullat e BE-së në liberalizimin e vizave. Në vazhdim, delegacioni i Kosovës paraqiti një raport të detajuar për progresin e arritur në ndalimin efikas të dukurisë së migrimeve ilegale, duke potencuar të gjitha masat që janë marrë, që nga vetëdijesimi i qytetareve për të mos parë migrimet si zgjidhje deri te shifrat dhe faktet e procesit të kthimit të tyre, proces për të cilën Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar seriozisht.
Ministrja Tahiri edhe me këtë rast rikonfirmoi përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe të gjitha institucioneve të shtetit lidhur me këtë proces, duke shprehur gatishmërinë e vazhdimit të bashkëpunimit në parandalimin dhe luftimin e migrimit ilegal.
