Federata Zvicerane e Futbollit përdor “dorë të rëndë” ndaj Taulant Xhakës. Mesfushori u pezullua për katër javë në Superligën helvete, pas episodit në humbjen 4-3 që Basel pësoi në fushën e Young Boys. Futbollisti shqiptar u ndëshkua me karton të kuq në fundin e ndeshjes, pasi humbi kontrollin gjatë një debati me Renato Steffen. Pas shkëmbimit të fjalëve, Xhaka e goditi kundërshtarin me shuplakë duke shkaktuar tension në fushë ndaj lojtarëve të të dyja skuadrave.
Disiplinori në Zvicër nuk mbajti parasysh faktin që Steffen e provokoi verbalisht Xhakën, por vendosi të ndëshkonte vetëm agresionin fizik ndaj futbollistit të Young Boys. Prej shuplakës, mesfushori kuqezi u pezullua menjëherë për tre ndeshje zyrtare. Dënimit i shtohet skualifikimi edhe për një tjetër takim, pasi më parë gjatë përballjes lojtari i Basel ishte ndëshkuar me kartonin e katërt të verdhë, që shoqërohet me pezullimin për një tjetër ndeshje. Një vendim të cilin Baseli do ta apelojë, për të ulur dënimin e titullarit të padiskutueshëm të skuadrës kampione, transmeton Supersport. Prej dënimit, deri në impenjimet me Kombëtaren për sfidat me Serbinë dhe Armeninë, Taulant Xhaka do të humbasë dy ndeshje të kampionatit kundër Luganos dhe Zurich. Pezullimi nuk pritet të ndikojë në formën e lojtarit për kualifikueset e Euro 2016, edhe sepse ai do të ketë mundësi të aktivizohet në ndeshjen e Europa League, ku gjatë javës së ardhshme Baseli do të luajë përballë Lech Poznan.
