Filmi “Basti” me skenar nga Besim Hysaj dhe regji nga Ujkan Hysaj ka fituar mbështetje edhe nga Agjencia e Filmit në Maqedoni në konkursin e projekteve filmike për vitin 2015, njoftoi Qendra Kinematografike e Kosovës.
“Basti” (titull pune) është një film i zhanrit dramë i cili flet për një të dënuar me pushkatim të cilit ia shtyjnë ekzekutimin për dy ditë pasi ai e jep fjalën – besën – se pasi të shkojë në shtëpi për ta takuar familjen do të kthehet.
Në këtë film luajnë: Shkelqim Islami, Sefedin Nuredini, Blerta Ismajli edhe Arbnesha Grabovci Nixha.
Film ka mbaruar xhirimet në muajin prill të këtij viti dhe është prodhim i shtëpisë filmike “Ajo Pictures”, i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës.
Ky është filmi i tretë i mbështetur nga QKK që ka gjetur financim edhe në Maqedoni, pas filmave “Babai” dhe “Home Sweet Home”.
