Fëmijët lypsarë – Avokati i Popullit kërkon çrrënjosjen e kësaj dukurie

НАЈНОВИ ВЕСТИ

Fëmijë të moshës parashkollore dhe shkollore të veshur me rroba jopërkatëse për kushtet klimatike kërkojnë lëmoshë çdo ditë në rrugët e Maqedonisë, aty ku frekuenca e qytetarëve dhe automjeteve është më e madhe. Ata qëndrojnë me orë të tëra duke pastruar xhamat e automjeteve, kurse lëmoshë kërkojnë me prezencë të prindërve të tyre, duke qëndruar në udhëkryqe të rrugëve dhe ulur nëpër sheshe. Risia te lypsarët është bartja me vete e fëmijëve. Shpeshherë përdorin ngjitësin si mjet që fëmijët të mos  qajnë gjatë qëndrimit gjithëditor në rrugë. Këto konstatime i paraqiti Avokati i Popullit, në debatin për këtë dukuri sot në Shkup.
Përveç kësaj, problem paraqet edhe mungesa e dokumentacionit për fëmijët – lypsarë dhe prindërit e tyre. Shpeshherë atyre u mungojnë çertifikata nga libri amzë. Për këtë qëllim, Avokati i Popullit, Ixhet Memeti, kërkon nga organet kompetente që të angazhohen në çrrënjosjen e kësaj dukurie negative. “Për fat të keq, kur flasim për fëmijët në rrugë, realiteti në shoqërinë tonë është i keq për arsye se këta fëmijë, vite me radhë, i hasim nëpër rrugë, vetë ose me të rriturit duke lypur ose duke larë xhama të automjeteve. Madje shumë shpesh fëmijët e njëjtë i shohim në vende të njëjta dhe në kohë të njëjtë. Këtë të dhënë e konfirmojnë edhe hulumtimet e Avokatit të Popullit të vitit 2011 dhe 2015″, tha Memeti.
Ambasadori Aivo Orav tha se BE do vazhdojë të përkrahë iniciativa për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, duke punuar me institucionet shtetërore dhe me organizatat qytetare.”Fëmijët janë ardhmëria jonë dhe janë investim afatgjatë për zhvillimin e vendit. Ne e përkrahim qeverinë që të sigurojë mjete në burime njerëzore dhe financiare për zyrën e ombucmanit dhe të përforcojë statusin e saj legal në mbrojtje më të mirë të drejtave njerëzore”, theksoi Orav.
Avokati i Popullit konsideron që duhen të formohen ekipe profesionale, të cilat do t’i parandalojnë fëmijët që shesin dhe do t’i dërgojnë në qendrat për punë sociale. Po ashtu, kërkohet angazhim më i madh i qendrave për punë sociale dhe pushtetit lokal për mbrojtën e të drejtave të fëmijëve.
Arbana Qerimi