Ivanov i pranoi letrat kredenciale të ambasadorëve të sapoemëruar të Kubës, Venezuelës dhe Laosit

НАЈНОВИ ВЕСТИ

Shkup, 30 shtator 2015 (MIA) – Presidenti Gjorge Ivanov sot i pranoi letrat kredenciale të ambasadorëve të sapoemëruar të Republikës së Kubës, të Republikës Bolivariane të Venezuelës dhe të Republikës Popullore Demokratike të Laosit për Republikën e Maqedonisë.
Siç kumtoi Kabineti i presidentit të Maqedonisë, në solemnitetin për dorëzimin e letrave kredenciale të ambasadorit të sapoemëruar të Republikës së Kubës për Republikën e Maqedonisë, me seli në Sofje, Pedro Pablo San Horge Rodrigez, presidenti Ivanov ka theksuar se ekziston interesim që marrëdhëniet bilaterale të zhvillohen në nivel më të lartë se ai i deritanishëm, duke theksuar se Republika e Maqedonisë i jep rëndësi të jashtëzakonshme trendit të suksesshëm zhvillimor të marrëdhënieve me shtetet e Amerikës Qendrore dhe Latine, ndërsa në veçanti zhvillimit të mëtejmë të marrëdhënieve gjithëpërfshirëse me Kubën, si në planin bilateral ashtu edhe në atë multilateral.
“E shfrytëzoj këtë rast për ta përshëndetur vendosjen e sërishme të marrëdhënieve diplomatike midis Kubës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, akt i cili e hap rrugën për zhvillimin e mëtejmë, prosperitetin dhe mirëqenien e popullit kubanez, me ç’rast edhe hasi në mbështetje të madhe nga bashkësia ndërkombëtare”, ka deklaruar presidenti Ivanov.
Ambasadori i sapoemëruar i Kubës ka shfaqur bindje se në periudhën e ardhshme do të punojë në nënshkrimin e marrëveshjes për konsultime politike e cila mundëson vizita midis përfaqësuesve zyrtarë të dy vendeve që të vlerësohet progresi në marrëdhëniet bilaterale në mënyrë sistematike, si dhe të hetohen mundësitë për bashkëpunim të cilat ekzistojnë në sferën e arsimit, kulturës, shëndetësisë, industrisë farmaceutike dhe sferave të tjera”, tha Rodrigez.
Në solemnitetin në dorëzimin e letrave kredenciale të ambasadores të sapoemëruar të Venezuelës për Republikën e Maqedonisë, me seli në Sofje, Orieta Kaponi, presidenti Ivanov ka shfaqur shpresë se në periudhën e ardhshme do të pasojnë aktivitete konkrete në më shumë sfera me interes të ndërsjellë në përforcimin e marrëdhënieve miqësore midis dy shteteve.
“Fuqimisht jam i bindur se para dy vendeve tona, me trashëgimi të madhe historike dhe kulturore, qëndrojnë mundësi për zhvillimin e bashkëpunimit, si në planin bilateral ashtu edhe në planin multilateral”, ka theksuar presidenti Ivanov.
Ambasadorja e sapoemëruar e Venezuelës, Orieta Kaponi ka theksuar se që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve në vitin 2002, ajo është ambasadorja e parë e emëruar. “Mu për këtë qëllimi im primar është zhvillimi dhe kultivimi i marrëdhënieve dhe bashkëpunimit nga sfera e politikës, ekonomisë, tregtisë, arsimit teknik dhe kulturës në bazë të interesave të përbashkëta të dy vendeve”, ka theksuar Kaponi.
Në takimin e ambasadorit të sapoemëruar të Laosit për Republikën e Maqedonisë, me seli në Vjenë, Poukao Pomavongsa, është konstatuar se ekzistojnë mundësi për gjetjen e formave të reja dhe përmbajtjeve të cilat dp t’i pasurojnë marrëdhëniet dhe bashkëpunimin midis dy shteteve.
Presidenti Ivanov ambasadorëve të sapoemëruar ua ka uruar funksionin, duke ju dëshiruar sukses në zbatimin e detyrës diplomatike.