Rritja e pensioneve kaloi në Komisionin për Punë dhe Politikë Sociale dhe në seancën e Kuvendit të RM. Nga muaji i ardhshëm, pensionistët do të marrin linearisht 621 denarë më shumë. TV 21 i pyeti pensionistët se a janë të kënaqur me këtë vendim. Ata kishin qëndrime të ndara.
Ndryshimet në Ligjin për Sigurim Pensional dhe Invalidor, me të cilat është paraparë rritje lineare të pensioneve për 5%, kaluan në Komisionin për punë dhe politikë sociale. Ministri Spasov shpjegoi se pensionet e shtatorit do të rriten për 621 denarë. „Duke qenë se vetëm një numër i vogël i pensionistëve në vend marrin pensione të larta, ndërsa pjesa më e madhe e tyre marrin pensione mesatare dhe minimale, u përcaktuam për një zgjidhje të këtillë të drejtë”, vlerësoi ai.
Sipas LSDM-së, kjo rritje është një manipulim i radhës i qeverisë. Fondi është i obliguar që dy herë në vit të bëjë harmonizim të pensioneve, në muajin e parë dhe atë të gjashtë të vitit. Kjo gjë nuk është bërë në vitin 2014 dhe sivjet. Kjo do të thotë se qeveria nuk i ka rritur pensionet, por se me atë 5 përqindësh që nuk është bërë harmonizimi, i rrisin tani, konsiderojnë deputetët opozitarë. „Nuk mendoj se pensionet do të rriten për 5%, por se do të ketë rritje të të gjithë masës dhe kur kjo të ndahet me numrin e pensioneve të marra, do të kemi 640 denarë. Për ata që marrin 18 mijë denarë pension, a paraqet kjo rritje për 5%?”, pyeti deputeti Alen Georgiev i LSDM-së.
Pensionistët ndërkaq me qëndrime të ndara. “Po manipulohet me ato 500-600 denarë. Si të bëhet fjalë për ndihmë sociale. Do të na i marrin dhe më pas do të na i kthejnë me lugë çaji”, tha një pensionist për kamerën tonë. Me mendim të kundërt është një pensionist tjetër. „Unë jam për rritje lineare. Në këtë mënyrë do të afrohen pak ata që marrin pensione më të ulëta”,
Për Shoqatën e Pensionistëve, me këtë rritje përmirësohet standardi jetësor i tyre, ndërsa nga Partia e Pensionistëve të Bashkuar konsiderojnë se kjo rritje është vetëm një manipulim parazgjedhor qeveritar.
Gabriella Dimkoviq-Mishevska
