Në Bruksel është mbajtur takimi i grupeve punuese për zbatimin e marrëveshjes për telekomin në mes të delegacionit të Republikës së Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Në këtë kuadër, Kosova do ta merr kodin telefonik ndërkombëtar 383 drejtpërdrejt nga ITU dhe se u konfirmua edhe njëherë se kërkesa në emër të Republikës së Kosovës do të bëhet nga ana e Austrisë. Poashtu plani për veprim parasheh që edhe çështja e bashkëpunimit në shërbimet postare në mes të të dyja shteteve të diskutohet dhe të përmbyllet deri në muajin dhjetor të këtij viti.
“Caktimi dhe marrja e kodit telefonik për Kosovën ka rëndësi të madhe sepse Kosova do ketë një kod unik dhe të vetëm siç e ka çdo shtet, për dallim nga situata e tashme kur në përdorim janë disa kode”, ka theksuar ministrja Edita Tahiri, duke shtuar se ka pajtim që edhe operatorët e dy shteteve të bashkëpunojnë në fushën e interkoneksionit dhe roamingut me qëllim dhe synim të zbritjes së tarifave për qytetarët e dyja vendeve dhe marrëveshja parasheh që edhe Kosova të përfshihet në nismat rajonale për marrëveshjen e roamingut.
Në fund të këtij takimi, palët u dakorduan që bisedimet të vazhdojnë dhe se të hënën e ardhshme me 22 qershor 2015 në Bruksel delegacionet do të takohen prapë.
