Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm: Mbrëmë, Policia në Prizren ka pranuar një informatë e cila bënte me dije se në oborrin e një shtëpie në rrugën “Raguza” është dëgjuar një e shtënë nga arma e zjarrit. Njësitet policore të cilat kanë reaguar e
kanë konfirmuar rastin dhe kanë sqaruar se kishte ndodhur një mosmarrëveshje në mes të dy personave, tanimë të dyshuar, për cilësinë dhe çmimin e një porosie për qepjen e një ulëseje prej lëkure për motoçikletë. Njëri nga të dyshuarit, nën ndikim të alkoolit i ka shkaktuar dëm në pasuri të dyshuarit tjetër me ç’ rast ia ka thye pesë xhama të automjetit “Jeep Landrover” , dritat elektrike të oborrit dhe fasadën e shtëpisë. I revoltuar nga skena e krijuar, i dyshuari i dytë, e kishte nxjerr nga brezi një revolver të llojit “Magnum” dhe kishte shtënë në ajër me ç’ rast ka shkaktuar rrezik të përgjithshëm. Lidhur me ngjarjen policia i ka arrestuar dy të dyshuarit dhe ka sekuestruar revolverin me pesë fishekë dhe një gëzhojë. Është informuar prokurori i shtetit i cili ka urdhëruar që dy të dyshuarit të ndalën në mbajtje për 48 orë.
Ofrim i ryshfetit: Rreth orës 10:40 minuta, në rrugën “Remzi Ademi” në Prizren e ka ndaluar automjetin Golf 3 me targa vendore dhe gjatë kontrollit është konstatuar se vetura nuk është regjistruar që nga viti 2012. Për t’i ikur
sekuestrimit të automjetit, shoferi i kishte futur ne dokumentacion një bankënotë prej 20 eurove dhe u thotë policëve “Merrini këto, pini kafe dhe e lemë këtë punë me kaq”. Patrulla policore e ka arrestuar shoferin ryshfetçi, ndërkaq vetura është sekuestruar për mungesë të regjistrimit. Për rastin është
informuar prokurori i cili ka urdhëruar që të iniciohet rasti për ofrim të mitos.
Arrestohet për dhunë në familje : Në orët e mesditës , Policia e Prizrenit e ka arrestuar një burrë nga fshati i Zhur mbi bazën e dyshimit se i njëjti e ka sulmuar fizikisht bashkëshorten të cilës i ka shkaktuar lëndime trupore. Viktima është dërguar për trajtim mjekësor në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Prizren e më pas është pyetur për rastin.
Po ashtu është intervistuar edhe i dyshuari dhe më pas prokurori i shtetit ka nënshkruar vendimin për ndalimin e të dyshuarit për 48 orë.
