Kuçi,rendi dhe ligji në shërbim të qytetarëve

НАЈНОВИ ВЕСТИ

Ministri i Drejtësisë,Hajredin Kuçi, sot ka marrë pjesë në konferencën gjithëpërfshirëse mbi rolin e Kuvendit në procesin e Integrimit Evropian.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, duke folur për procesin e Integrimit Evropian, Ministri Kuçi ka vlerësuar se ky proces është një lloj mjeti i presionit për reformim të shoqërisë duke i dhënë njëkohësisht edhe efektet e veta.
“Nënshkrimi i marrëveshjes për Stabilizim Asociim, jo vetëm që hap rrugë në drejtimin e marrëdhënieve kontraktuale, në raport me Unionin Evropian, por i definon qartë përgjegjësit dhe detyrat të cilat duhet t’i kryej secili prej nesh, dhe unë dua të besoj se këtë vit, kjo marrëveshje do të nënshkruhet, duke pasur kujdes që të respektohet ajo çka kërkohet nga Bashkimi Evropian”, tha Kuçi.
Gjatë kësaj konference, Kuçi informoi të pranishmit lidhur me zhvillimet në fushën e sundimit të ligjit dhe reformat e ndërmarra me qëllim të konsolidimit të infrastrukturës ligjore dhe ngritjes së kapaciteteve njerëzore. Ai tha se, gjatë hartimin e ligjeve, kanë qenë në harmoni të plotë me Zyrën e BE-së në Kosove dhe EULEX-in, si dhe partnerët tjerë ndërkombëtar. Kuçi theksoi se këto ligje janë hartuar bazuar në kriteret të cilat kërkohen për Integrim në Unionin Evropian dhe ligje të cilat janë funksionale për Republikën e Kosovën.
Kuçi tha se, së bashku me partnerët ndërkombëtar, po e ndërtojmë sistemin e drejtësisë me ambicie dhe synime që të përmbushim pritjet e qytetarëve tanë për një sistem që ofron drejtësi për të gjithë, që respekton të drejtat e liritë e njeriut dhe që drejtësia të vendoset me përgjegjësi, profesionalizëm dhe guxim.
Gjithashtu Ministri Kuçi i ka njoftuar të pranishmit lidhur me kërkesën që të themelohet një departament pran Gjykatës Themelore në Prishtinë, për çështjet ekonomike, i cili ka të bëjë me investimet e huaja, që përmes këtij departamenti të krijohet një ambient i përshtatshëm për investitor të huaj. Përveç kësaj, Ministri Kuçi tha se, gjatë këtij mandati kanë themeluar grupin punues për Kodin Civil si dhe atë për Çështjet Pronësore, në mënyrë që qytetarëve të Republikës së Kosovës t’u lehtësohet puna dhe kështu të fitojnë më lehtë besimin në drejtësi.
Për fund, Ministri tha se marrëveshja për Stabilizim Asociim dhe liberalizimi i vizave, të cilat lidhen me Ministrinë e Drejtësisë, janë plotësuar në harmoni të plotë me Zyrën e BE-së dhe të EULEX-it. “Jam i bindur që bashkërisht do të bëjmë punë të mëdha. Ne kemi mbijetuar si komb, e kemi konsoliduar shtetin tonë, dhe tani duhet të na jepet mundësia që pran shteteve të tjera të ulemi të barabartë, si qytetar, njerëz të drejtësisë, shkencës, politikës e fusha të tjera, ku interesi ynë për këtë barazi nuk do të ishte për të fituar në secilin rast, por pjesëmarrja me të drejta të barabarta”, tha Kuçi./21Media