Maqedonia është ranguar në vendin e 60-të në raportin më të ri të Forumit Ekonomik Botëror sa i përket konkurrencës në botë. Kjo do të thotë përmirësim të konkurrueshmërisë së vendit për tri pozita në krahasim me vitin e kaluar.
Prej gjithsej 140 vendeve, sa kanë qenë të analizuara në korniza globale, Maqedonia është e ranguar më mirë se Serbia, Mali i Zi, Kroacia, Shqipëria dhe Bosnja dhe Hercegovina. Më mirë se ne, siç tha zëvendëskryeministri Vlladimir Peshevski është Sllovenia, e cila gjendet vetëm një vend para Maqedonisë. “Shikuar gjatë tri viteve të fundit, kemi shënuar përmirësim për gjithsej 20 pozita sa i takon konkurrueshmërisë së të gjitha vendeve, të atyre që janë analizuar në botë. Po të shihet periudha prej vitit 2007 e këndej, brenda së cilës realisht kanë nisur aktivitetet më të rëndësishme në fushën e përmirësimit të konkurrencës, ekonomia maqedonase shënon përmirësim për 34 pozita”, informoi zëvendëskryeministri për çështje ekonomike.
Pjesa më e madhe e biznes-kompanive punojnë me sukses, por ka momente kur ndonjë nga kompanitë ka vështirësi në realizimin e synimeve të veta, deklaroi Nebi Hoxha, kryetar i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore. Ai kërkoi që qeveria të përqendrohet në punësimin në sektorin privat, në të cilin sektor, firmat do të kishin më shumë dobi dhe sukses. “Si odë ekonomike kërkojmë që të ketë lirim dhe të mos ketë monopol mbi energjetikën dhe mbi fusha të tjera, që do të mundësonte pasjen e një konkurrence më të mirë dhe më të lehtë në rajon”, theksoi Hoxha.
Shefi i delegacionit të Bashkimit Evropian në Maqedoni, Aivo Orav me apel drejt subjekteve politike – t’i realizojnë reformat, duke mundësuar një buxhet të mjaftueshëm dhe pavarësi të institucioneve. “Çështjet e brendshme, siç janë kriza parlamentare dhe akuzat për korrupsion, prokurorimi publik dhe sundimi i ligjit janë ndikime të rëndësishme mbi veprimtarinë e biznesmenëve. Bashkësia biznesore tashmë e ngre zërin për shkak të shqetësimit të tyre për zgjatjen e krizës politike në vend. Konsiderohet se kriza politike dhe refuzimi i kërkesave të liderëve të BE-së, çon në zvogëlimin e shkëmbimit tregtar në 13,5 për qind në gjysmën e parë të vitit”, tha euroambasadori Orav.
Orav përkujtoi se Bashkimi Evropian i ofron mbështetje të madhe Maqedonisë. Në periudhën prej vitit 2014-2020, Maqedonisë do t’i jenë në dispozicion 73 milionë euro nga BE-ja për të përmirësuar konkurrueshmërinë e saj.
Vesna Jaqimovska
