Mbi 15 mijë nënshkrime për përshpejtimin e liberalizimit të vizave

НАЈНОВИ ВЕСТИ

Mbi 15 mijë qytetarë kanë nënshkruar peticionin për përshpejtimin e procesit të liberalizimit të vizave, aktivitet ky që ka nisur një javë më parë nga ana e shoqërisë civile, të prirë nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS).
Nënshkrimeve iu bashkohen edhe 500 letra nga qytetarët drejtuar përfaqësuesit të Bashkimit Europian në Kosovë, Samuel Zhbogar dhe ministrit kosovar për Integrime Europiane, Bekim Çollaku, me të cilat qytetarët po shprehin nevojën e tyre për lirinë e lëvizjes.
Në 15 mijë nënshkrimet e numëruara deri tani, mungojnë ato të zonave më të thella, pasi që deri tani janë numëruar vetëm shtatë komunat kryesore.
Aktiviteti me nënshkrimet e qytetarëve fillimisht është paraparë të zgjasë dy javë, pra deri më datën 28 të këtij muaji, por varësisht prej rrjedhës së procesit, organizatorët mund edhe të vazhdojnë aktivitetin edhe për disa ditë të tjera.
Visare Aliu nga KFOS, që është edhe koordinatore e fushatës, thotë se numri i deritanishëm i nënshkrimeve është relativisht i kënaqshëm pasi që në fundjavë ishte festë dhe kjo ndoshta ka ndikuar në mos-daljen e qytetar ëve për të nënshkruar.
Ajo bën të ditur se edhe numri i qytetarëve që po lënë kartolina gjatë aktivitetit, për përfaqësuesit e BE-së dhe ata të Kosovës, është mjaft i madh. Deri tani janë shkruar 500 kartolina. E kjo, sipas Aliut, është mundësuar në mënyrë që qytetarët mos t’i drejtohen vetëm Bashkimit Europian, por edhe Qeverisë së Kosovës, në mënyrë që kjo e fundit të bëjë më shumë presion tek ndërkombëtarët dhe të punojë drejt përmbushjes së kritereve të kërkuara për lëvizje të lirë.
Prishtina, e pastaj Mitrovica, po prijnë me numrin më të madh të qytetarëve që po i bashkohen aktivitetit.
Në mënyrë që të nënshkruash, aty duhet patjetër të lësh edhe numrin personal, e Aliu tregon se shpesh qytetarët nuk kanë pasë ID-të e tyre me vete dhe kështu iu është pamundësuar nënshkrimi.
Qëllimi kryesor për këtë peticion mbetet aktivizimi i drejtpërdrejtë i qytetarëve në çështjen e lëvizjes së lirë.
Meqë pamundësimi i lëvizjes së lirë i ka shkaktuar mjaft dëme shoqërisë kosovare, Aliu thotë se liberalizimi i vizave do të zvogëlonte edhe numrin e migrantëve nga Kosova.
Me të përfunduar aktiviteti, nënshkrimet e mbledhura nga ky peticion do t’i dorëzohen përfaqë suesit të Bashkimit Europian në Kosovë, Samuel Zhbogar dhe ministrit të Integrimeve Europiane, Bekim Çollaku.
Nënshkrimi i peticionit, përmes së cilit qytetarët e Kosovës i drejtohen autoriteteve të Bashkimit Europian dhe Qeverisë së Kosovës për përshpejtimin e liberalizimit të vizave, ka nisur me datën 14 të këtij muaji.
Organizatat partnere në këtë aktivitet janë “Kosovo 2.0” – Prishtinë, OJQ “EC Ma Ndryshe”– Prizreni, OJQ “Community Building Mitrovica” – Mitrovicë, OJQ “She-Era” – Gjakovë, OJQ “Vizioni i Syrit” – Pejë, OJQ “Network of peace Movement” – Gjilan, “Iniciativa për Progres INPO” – Ferizaj.
Aktiviteti është paraparë të zgjasë dy javë që nga data 14 korrik, por ka mundësi që të vazhdojë edhe më tutje