Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, deklaroi sot se Bashkimi Evropian duhet të shqyrtojë në mënyrë serioze kërkesat e Britanisë për reforma brenda unionit, por shtoi se parimet bazë, siç është për shembull liria e lëvizjes, janë çështje të cilat nuk do të negociohen.
Kryeministri i Britanisë, Dejvid Kameron, i cili muajin e kaluar u zgjodh në mandatin e tij të dytë, ka premtuar se do të negociojë sërish për marrëdhëniet e Britanisë me Bashkimin Evropian dhe së më pas, deri në fund të vitit 2017 do të organizojë referendumin për mbetjen apo jo të Britanisë në union.
Ai për këtë arsye vizitoi disa kryeqytete të Evropës, në përpjekje për të siguruar përkrahje për reforma brenda unionit dhe për kërkesën e Londrës që imigrantët në Britani të mos marrin beneficione, të cilat i gëzojnë në shtetet tjera të Bashkimit Evropian.
Merkel gjatë fjalimit të saj në Bundestag deklaroi se Britania është një aleate e natyrshme kur bëhet fjalë për forcimin e konkurrencës brenda Bashkimit Evropian dhe se ajo dëshiron që ky vend të mbetet partner aktiv i Bashkimit të fuqishëm Evropian.
Kancelarja gjermane foli edhe për krizën e borxhit grek, duke theksuar se ende ka mundësi që Greqia të arrin një marrëveshje me kreditorët e saj ndërkombëtarë dhe se dëshiron që Greqia të mbetet në eurozonë./21Media
