Ministri Ademi: Ligji në Maqedoni pengon përdorimin e abetares unike

НАЈНОВИ ВЕСТИ

U bënë katër vite prej arritjes së marrëveshjes për shfrytëzimin e abetares unike, për nxënësit shqiptarë në Shqipëri, Kosovë dhe Luginë të Preshevës, por ajo ende nuk po zbatohet në Maqedoni. Kjo ngecje, sipas ministrit të arsimit në Maqedoni, është bërë për shkak se nuk është arritur të përgatitet ligji për tekstet e shkollore, që abetarja të futet në sistemin arsimor të Maqedonisë.  Ministri i Arsimit thotë se një ligj i tillë do të miratohet pas një periudhë më të gjatë, pasi që duhet kalojë në disa procedura.
Abetarja me të cilën punojnë arsimtarët në Maqedoni është me standarde të larta. Megjithatë, dëshira është më e madhe të punohet me abetaren e unifikuar, thotë një prej arsimtarëve. “Ndryshime nuk kemi pas për abetaren tjetër edhe pse kemi dëshirë edhe ne si gjithë trojet shqiptare, të punojmë me abetaren e unifikuar si ne Kosovë edhe në Shqipëri . Edhe me këtë abetare është mirë të punohet, kemi standarde të larta por kishim pas dëshirë edhe ne të punojmë me abetaren e unifikuar”, thotë mësuesja Arlinda Etemi nga SH.F “Hasan Prishtina” në Shkup.
 
Procedurat e gjata bëjnë që edhe ky vit të kalojë pa abetaren e përbashkët, dhe duhet pritur miratimin e ligjit e pastaj të fillojnë procedurat, shpjegon ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi. “Procedurat janë më të gjata, duhet të kalojnë edhe ne Qeveri pastaj  edhe në parlament, e shpresojmë deri në fund të këtij viti do të mund të miratohet ligji dhe të fillojnë procedurat për përpilimin e të njëjtëve”, tha Ademi.
Ministri Ademi gjithashtu shtoi se bëhet fjalë për mësimin e  shkronjave alfabetit të gjuhës shqipe, dhe se nuk duhet pasur pengesë për përdorimin e kësaj abetareje. “Nuk duhet të hasë në problem të tillë, sepse bëhet fjalë për tekst të unifikuar, tekst për abetaren, që nuk ka përmbajtje ta thuaja problematike, sepse këtu bëhet fjalë për mësimin e  shkronjave të alfabetit të gjuhës shqipe, që gjithë shqiptarët e kanë një alfabet, një specifikë e kështu me radhë, e nuk pres ose të ketë ndonjë problem dhe ndonjë rezistencë politike”, potencon ministri i arsimit.
Ministri Ademi shtoi se do të bashkëpunohet për arsim të lartë veçanërisht për drejtime deficitare  me Shqipërinë, kurse me Kosovën, do bëjnë shkëmbimin e studentëve ku është nënshkruar plani ekzekutiv njëvjeçar.
Miradije Hasani