Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami ka qëndruar sot në qytetin e Gjilanit, ku së bashku me ministrin e Administratës Publike, Mahir Yagzilar kanë bërë përurimin e fillimit të punimeve për ndërtimin e palestrës së sportit të shkollës fillore “Abaz Ajeti”.
Me këtë rast ministri Bajrami ka thënë që profesionit të mësuesit është duke iu rikthyer dinjiteti, gjë që dëshmohet me numrin e madh të të interesuarve për regjistrim në Fakultetin e Edukimit.
“Jemi në fazën e ndërtimit të shkollave cilësore ku sot para se me ardh këtu mora pjesë në monitorimin e provimit pranues në Fakultetit të Edukimit dhe pashë një interesim të madh për në Universitet, nëse deri dje ka qenë me rëndësi të bëhesh mjek, jurist, ekonomist, tash për tregun e punës kërkesat më të mëdha janë me qenë mësues. Kjo tregon që Qeveria e Kosovës ka investuar në kthimin e rolit dhe dinjitetit të mësuesit, sepse për një vend të pranimit në fakultet kemi 10 studentë,” tha Bajrami.
