Organizatat e shoqërisë civile Community Building Mitrovica (CBM) dhe Qendra e Burimeve për Rini dhe Koalicion i Medias (CRYM), kanë ndarë tre grante në vlerë prej 15 mijë euro për Lëvizjen ‘Koha’ me seli në Mitrovicë dhe Vushtrri, organizatën ‘Santa Maria nga Zveçani, dhe organizatën ‘Prehja’ me seli në Skenderaj, ndërsa pritet të përfitojnë edhe 6 deri 8 organizata tjera në vlerë prej rreth 35 mijë euro.
Kjo u bë e ditur gjatë Info Seancës për projekt propozimin si pjesë e projektit “Shoqëria civile është duke ju vëzhguar. Në kërkim të llogaridhënies dhe transparencës në nivelin lokal”, që u mbajt të martën në Mitrovicë.
Drejtoresha e CBM-së, Afërdita Sylaj, ka bërë të ditur se ky projekt është mbështetur nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe bashkë-financuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim, Ambasada e Mbretërisë së Holandës, si dhe Fondacioni Mott.
Sipas saj, objektivi i përgjithshëm i këtij projekti është të kontribuojë në rritjen e përgjegjshmërisë dhe transparencës së institucioneve lokale nëpërmjet pjesëmarrjes aktive të shoqërisë civile.
“Sot CMB-ja së bashku me CRYM-in ka dhënë tre grante, ndërsa ka bërë lansimin e granteve tjera të cilat do të jepen për 6 deri 8 organizata tjera në rajonin e Mitrovicës… grantet që janë dhënë sot janë në vlerë nga 5 mijë euro për këto tre organizata, ndërsa të tjerat do të jenë 4 mijë deri 6 mijë euro”, ka thënë Sylaj.
Ndryshe, ky është projekt dy vjeçar që mbulonrajonin veri dhe jug të Mitrovicës i cili përfshinë shtatë komunat, Mitrovicë veri dhe jug, Vushtrri, Skenderaj, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok./21Media
