Një pjesë e popullatës ende pa kartela elektronike të shëndetësisë

НАЈНОВИ ВЕСТИ

Rreth 89 mijë të siguruar nuk kanë kartela elektronike shëndetësore, edhe pse kanë bërë kërkesë dhe kanë paguar për to. Gjashtë vjet që nga koha kur Ministria e Shëndetësisë dhe Agjencia Kroate për Detyrë Komerciale AKD, lidhën marrëveshje për këtë gjë, tani nuk dihet se ku kanë ngecur gjërat.
„Kisha, ma kanë vjedhur, kërkesën e bëra më 28 mars të vitit 2014 dhe ende po pres, ende nuk është gati, më thanë se është në përpunim e sipër “, thotë një qytetare.
Nga Fondi i Shëndetësisë, sqarojnë se shumica e të siguruarve janë të pajisur me kartela elektronike dhe se projekti është rrumbullakësuar, edhe pse është një proces që rrjedh në vazhdimësi. „Nga numri i plotë i të siguruarve, 1,826,125 kartela elektronike u janë dorëzuar përdoruesve. Rreth 86.029 të siguruar nuk kanë bërë aspak kërkesë për dhënie të KESH, ndërsa për 72.278 të siguruar ka kartela elektronike, por nuk janë tërhequr nga zyrat rajonale të Fondit. Të tjerat, 88.314 kërkesa, janë ende në proces të përpunimit dhe shtypjes“, qëndron në deklaratën e Fondit të Sigurimit Shëndetësor
Krahas asaj se një numër i madh i qytetarëve kanë kartela elektronike të shëndetësisë, mjekët amë deklarojnë se ato nuk e kryejnë funksionin, për të cilin ishin planifikuar fillimisht. “Tash për tash, përveç se për lajmërim të pacientëve tek mjeku, nuk kanë asnjë tjetër funksion. Këtë vit duhej të kenë edhe histori të sëmundjeve të pacientit, me anë ta saj duhej të jepen edhe recetat edhe rekomandime siç është në shtetet tjera si në Gjermani dhe tjera shtete Evropiane”, vlerëson Fatmir Asani, kryetar i Shoqatës të Mjekëve Privat Amë.
Projekt menaxheri i Sistemit Kombëtar për Evidenca Elektronike në Shëndetësi “Termini im”, Millan Arizankoski konfirmoi dje në një konferencë për shtyp se kartelat elektronike nuk e kanë kapacitetin për të cilin ishin bërë në fillim. Në vend se historia e pacientit të jetë në kartelën elektronike, do të bëhet karton elektronik i shëndetësisë. “Kartela elektronike e shëndetësisë përmban të dhëna si numrin e shëndetësisë, të dhënat kryesore mbi ju, mbi statusin e sigurimit dhe një numër të vogël të kompletuar të të dhënave tjera. Kartela e shëndetësisë si kapacitet nuk mundet të përmbajë një numër aq të madh të dhënave, ky është vetëm një çelës deri te çelësi me më shumë të dhëna“, deklaroi Arizankoski.
Kompania kroate që i prodhonte kartelat, në sqarimin e saj dërguar Televizionit 21 shkruan se marrëveshja me Ministrinë e Shëndetësisë ka mbaruar vitin e kaluar më 30 qershor. Sipas tyre, ata i kanë plotësuar obligimet e parapara në marrëveshje dhe se nuk janë fajtor për ngecjen e kartelave elektronike. Ata shtojnë se Ministria e Shëndetësisë u ka borxh në vlerë prej 92 milion denarësh, pa llogaritur kamatën. Sipas kësaj kompanie, Ministria e Shëndetësisë më shumë se një vit nuk ka bërë marrëveshje me asnjë kompani tjetër për shtypjen e kartelave për të siguruarit e ri, si dhe për ata të cilët i kanë humbur dhe kanë bërë kërkesë për kartela të reja.
 
Prej Ministrisë së Shëndetësisë përmes një deklarate sqaruan se janë punuar rreth 91,39  % nga numri i përgjithshëm i kartelave elektronike. Në deklaratë thuhet se pavarësisht se a kanë apo jo pacientët kartela të shëndetësisë, me rëndësi është që çdo pacient ta marrë shërbimin e duhur shëndetësor.
Marrëveshja për kartela elektronike kishte vlerë prej 7,5 milion eurove. Edhe pse fillimisht u bë shpallje se qytetarët do t’i marrin kartelat e shëndetësisë pa pagesë, përsëri të punësuarit për ato paguan nga 250 denarë, ndërsa të papunësuarit, pensionistët, fëmijët dhe studentët paguan nga 100 denarë. Me një përllogaritje të thjeshtë, bazuar në të dhënat zyrtare statistikore, të siguruarit e të gjitha strukturave deri tani kanë paguar rreth 4 milion e 650 mijë euro.
As nga Ministria e Shëndetësisë e as nga Fondi i Shëndetësisë nuk kemi marrë përgjigje se a do të kërkohet ndonjë kompani e re për të punuar kartelat elektronike për të siguruarit e ri, si dhe për ata që i kanë humbur ato.
Aleksandra Smilevska