Dy mijë maturantë shqiptarë kanë rezultuar ngelës në testin e gjuhë-letërsisë, ndërkohë janë të paktë ata që janë vlerësuar me notë maksimale. Sipas të dhënave të Agjencisë Kombëtare të Provimeve vetëm 254 maturantë kanë arritur të marrin notën dhjetë. Ndërsa mesatarja në nivel kombëtar këtë vit është e ulët, saktësisht 6.7, poshtë nivelit mesatar. Sipas drejtoreshës së AKP-së, Rezana Vrapi, numri i maturantëve, të cilët nuk arritën të merrnin provimin, është në të njëjtat nivele me atë të një viti më parë, ndërsa krahasuar me vitin 2013 kemi 500 ngelës më shumë në provimin e gjuhës dhe letërsisë. Më tej ajo shton se niveli i kalueshmërisë është 95%. Edhe pse ky testim cilësohet si një prej provimeve më të lehtë, numri i lartë i atyre që nuk arritën dot ta merrnin, tregon të kundërtën. Maturantët, të cilët duan që të kërkojnë fotokopjen e testit, kanë afat deri më datë 19 qershor. Do të merren në konsideratë pretendimet e maturantëve, do të bëhet një ballafaqim me korrigjuesin, por nuk do të ketë proces rivlerësimi të tezës. Pas dy javësh, pritet të dalin edhe rezultatet e provimit të matematikës për të gjithë maturantët. Të premten, më 19 qershor, maturantët do t’i nënshtrohen edhe provimeve të fundit që janë ato me zgjedhje.
