Në të gjitha shkollat e Kosovës, nesër do të hapet konkursi për pranimin e nxënësve në shkollat e mesme të larta.
Nga rezultati i testit të arritshmërisë, 63,10 për qind e nxënësve e kaluan testin.
Këshilltari i ministrit të Arsimit, Azem Guri, bëri me dije se në të gjitha komunat e Kosovës janë përcjellë kriteret dhe kushtet të cilat duhet të plotësohen për pranimin e nxënësve në Shkollat e Mesme të Larta. “Kriteret e përgjithshme janë, nga numri i pikëve, gjegjësisht nga suksesi që e ka arritur në shkollën e obliguar, mund t’i merr 25 pikë maksimumi. Nga lëndët prioritare, varësisht se ku aplikon, mund t’i merr nga 15 pikë, dhe nga testi i arritshmërisë i merr 60 pikë”, deklaroi Guri.
Ai tha se MASHT ka pajisur shkollat profesionale me kabinete, mjete të profilizimit e laboratore, me synimin që këto shkolla profesionale të lidhen me tregun e punës, ku pas përfundimit të shkollës së lartë ata të kenë më lehtë të punësohen.
Ndërsa, për nxënësit të cilët nuk kanë arritur testin e arritshmërisë do të ketë hapësirë në shkollat e tjera. “Pavarësisht se nxënësit synojnë dhe preferojnë drejtimet të cilat ata i zgjedhin, nëse nuk ka hapësirë dhe nuk arrin numrin e pikëve mbi bazën e këtyre kritereve që ne i kemi caktuar, kanë vende për drejtime të tjera, sepse planifikimet e komunave të shkollës dhe MASHT, ata që kanë përfunduar shkollën e obliguar kanë hapësirë të vijojnë shkollën e mesme të lartë, jo aty ku kanë dëshirë por aty ku i plotësojnë kriteret”, tha Guri për Kp.
Konkursi mbyllet më 22 qershor, ndërsa ditën e nesërme publikohen rezultatet për nxënësit që janë pranuar.
Ndërkaq, nxënësit të cilët nuk janë pranuar, e që konsiderojnë se u është bërë ndonjë e padrejtë, kanë afatin kohor prej 24 orë të paraqesin ankesat në shkollat përkatës.
Për nxënësit të cilët nuk arrijnë të regjistrohen në shkollat e mesme të larta, me 24 gusht do të ketë konkurs plotësues për ta.
