Ambasada Italiane në bashkëpunim me Zyrën për Qeverisje të Mirë dhe Forumin Kosovar për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, lansoi sot planin e veprimit për zbatimin e strategjisë nacionale për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara në Republikën e Kosovës 2013-2015, me qëllim të përmirësimit të jetës së këtyre personave.
Me këtë rast përfaqësuesi i Zyrës për Qeverisje të Mirë, në kuadër të zyrës së Kryeministrit, Habit Hajredini, tha që Qeveria ka bërë një strategji për adresimin e çështjeve konkrete për integrimin e personave me aftësi të kufizuara.
“Qeveria e Republikës së Kosovës ka një strategji nacionale dhe një plan të veprimit që adreson çështje konkrete në përmirësimin dhe integrimin e personave me aftësi të kufizuara…duke përfshirë edukimin, mirëqenien sociale, shëndetësinë, si dhe specifikat tjera…kjo strategji gjithë përfshirëse është punuar ngushtë me gjithë akterët vendorë duke përfshirë shoqërinë civile, organizatat joqeveritare dhe natyrisht institucionet”, tha Hajredini.
Kurse ambasad ori i Italisë në Kosovë, Andreas Ferrares, tha që ambasada italiane do i mbështesë personat me aftësi të kufizuara. Ai po ashtu tha se do ndihmojë në bashkëpunim afatgjatë mes Italisë dhe Kosovës.
“Jemi të lumtur që jemi mbledhur të rishikojmë strategjinë dhe planin kombëtar për persona me aftësi të kufizuara pas dy vite të implementimit…komperacioni italian është i përkushtuar të mbështesë zyrën për qeverisje të mirë së pari në formulimin e strategjisë kombëtare për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara… kjo është veçanërisht domethënëse sa i përket bashkëpunimit afat gjatë mes Italisë dhe Republikës së Kosovës…dua të lavdëroj përpjekjet pozitive të institucioneve qendrore për të hequr barrierat dhe për të luftuar faktorët diskriminues”, tha Ferrares.
Ndërsa kryetari i Forumit Kosovar për persona me aftësi të kufizuara, Bujar Kadriu, tha se po punohet me strategji për respektimin e të drejtave të njeriut, veçanërisht respektimit të drejtave të personave me aftësi të kufizuara.
“Forumi kosovar për persona me aftësi të kufizuara…ka një strategji ku objektivë është evokimi i institucioneve relevante dhe institucioneve ndërkombëtare dhe vendore me qëllim të respektimit të drejtave të njeriut, në veçanti të drejtat e personave me aftësi të kufizuara , duke u munduar të përmirësojmë kualitetin dhe cilësinë e jetës. Qëllimi jonë i vetëm është që ne të mundohemi të lehtësojmë jetën e personave me aftësi të kufizuara”, tha Kadiu.
Me këtë rast u bë thirrje institucioneve relevante për këtë çështje, që sa më shumë të punojnë në lehtësimin e jetesës së personave me aftësi të kufizuara.
