Qytetarët e Shkupit po kundërshtojnë planin e Qytetit të Shkupit që shëtitorja e tashme të kalojë në rrugë për qarkullimin e automjeteve përgjatë lumit Vardar. Rrjetet sociale janë përplot reagime negative për transformimin e shëtitores pranë shtratit të lumit.
Kryetari i Komunës Qendër, Andrej Zhernovski deklaroi se ka dërguar kërkesë për ndalimin e të gjitha projekteve në lidhje me ndërtimin e rrugës për qarkullimin e automjeteve afër Vardarit. “U vendosëm për këtë hap bashkërisht pasi kuptuam për vendimin e pushtetit lokal këtu të ndërtojnë rrugë transportuese. Ne kemi për obligim të përdorim të gjitha instrumentet ligjore të cilët kemi në dorë, me qëllim mbrojtjen e interesit qytetar. Dua qartë të theksoj se ky vendim do të qëndroj valid, përderisa pushteti lokal nuk ndryshon vendimin për ndërtimin e rrugës së tillë transportuese”, tha Zhernovski.
Qytetarët e Shkupit me të cilët bisedoi TV 21 janë shprehur kundër idesë, e cila parashikon që shëtitorja të shndërrohet në rrugë për automjete. Sipas planit të parë, rruga do të shtrihet prej shtatores së Filipit të Dytë deri te ndërtesa prapa Telekomit dhe do të kalojë para restoranteve të rrugës “Kej Vardar”. Paraprakisht, ideja ishte që kjo rrugë të ndërtohet nëntokë, mirëpo në vitin 2012 Këshilli i Komunës Qendër ndryshoi planet dhe vendosi që rruga për automjete të jetë mbitokësore.
Blerim Ismaili
