Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka falënderuar të gjithë qytetarët që morën pjesën në votimin për zgjedhjet lokale.
“I falënderoj me respekt të gjithë qytetarët e qytetaret që u bënë pjesë e votimit të sotëm, pavarësisht se për kë votuan, dhe u shpreh me përulësi mirënjohjen të gjithë atyre që me votën e tyre e investuan besimin tek kandidatët e Aleancës për Shqipërinë Europiane”, ka shkruar Rama në profilin e tij në “Facebook”.
Ai ka thënë se në këto zgjedhje u votua reforma e madhe e riorganizimit administrativ të shtetit shqiptar. “Që nga nesër do të jetë një shtet më modern. U vulos vendimi historik për të barazuar përfaqësimin e grave me burrat në kuvendet e reja vendore të Shqipërisë. U vendos status i barabartë qytetarie mes banorëve të qytetit dhe fshatit dhe u hap një epokë e re në marrëdhëniet mes familjeve që jetojnë në fshat dhe qeverisë vendore. Ju të gjithë, të majtë e të djathtë, me apo pa parti, njerëz të zakonshëm qytetarë të përgjegjshëm të këtij vendi, i bëtë zgjedhjet e sotme më të mirat, më të lirat e të ndershmet që kemi zhvilluar deri më sot. Po padyshim, edhe më domethënëset në historinë e zgjedhjeve vendore në Shqipëri”, ka thënë Rama.
