Këshilli i Sigurisë Kombëtare të SHBA-së pretendon se Turqia është “partneri kyç” në luftën kundër organizatës terroriste DAESH (ISIL) dhe se vlerëson kontributin e Turqisë në përpjekjet e koalicionit ndërkombëtar në luftën globale kundër kësaj organizate, raporton Anadolu Agency (AA).
Shtetet e Bashkuara më parë kishin dënuar sulmin terrorist i cili të hënën ndodhi në qytetin jugor të Turqisë, Suruç, në afërsi të kufirit sirian kur humbën jetën 30 persona. Kryeministri turk, Ahmet Davutoglu ka deklaruar dje se hetimi i deritanishëm tregon se pas sulmit me siguri qëndron DAESH, por se hetimi i gjerë është në vazhdimin e sipër.
Zëdhënësi i Presidencës së Turqisë, Ibrahim Kalin ka thënë se Turqia që nga tetori 2013 ka deportuar rreth 1.600 shtetas të huaj nga territori i saj të cilët kishin lidhje me organizatën terroriste DAESH.
SHBA-të udhëheqin koalicionin ndërkombëtar për luftën globale kundër DAESH, pjesë e së cilit janë mbi 60 shtete, në mesin e të cilëve Turqia dhe vendet arabe. Koalicioni kryen sulme ajrore ndaj pozitave të DAESH-it në Irak dhe Siri.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit amerikan, John Kirby ka deklaruar më parë se të gjitha anëtarët të koalicionit anti-DAESH japin kontributin e tyre në atë luftë.
