Task Forca kundër piraterisë dhe falsifikimit, përkatësisht Inspektorati i tregut, në gjashtë qytete të Kosovës ka sekuestruar 732 libra arsimore-shkencore dhe profesionale, 812 CD dhe 54 DVD me material muzikor dhe filmi si material pirat.
Ndaj bizneseve tek të cilat është gjetur materiali pirat, pa leje dhe pa marrëveshje me mbajtësit e të drejtave, Inspektorati i Tregut ka shqiptuar gjobën përkatëse.
Në Prizren janë sekuestruar 147 libra dhe 311 CD me material muzikor, në Ferizaj 171 CD me material muzikor, Gjilan 538 libra dhe 117 CD me material muzikor, Mitrovicë 213 CD dhe 54 DVD me material muzikor dhe filmi, Pejë 17 libra dhe në kryeqytet janë sekuestruar 30 libra.
Task Forca kundër piraterisë dhe falsifikimit, njofton mbajtësit e të drejtave dhe subjektet të cilat bëjnë prodhimin, shpërndarjen dhe shitjen e materialeve që mbrohen me të drejtën e autorit, se është në veprim dhe do të ndërmerr aksione të vazhdueshme në treg, duke instaluar sistemin e mbrojtjes së krijimtarisë intelektuale dhe luftën kundër piraterisë si një mision të përditshëm të institucioneve shtetërore, transmeton kosovalive.
Sipas Ligjit për të drejtat e autorit, nëse personi juridik në kuadër të veprimtarisë së vet ose në biznes me të tjerët, shfrytëzon pa leje veprën e autorit ose lëndën nga të drejtat e përafërta, dënohet me gjobë prej 2 mijë deri në 10 mijë euro.
Sipas Kodit Penal, kushdo që bën shkeljen e të drejtave të autorit dhe të drejtave të përafërta, dënohet me gjobë dhe/ose me burgim nga 3 muaj deri në 8 vjet. Sendet dhe pajisjet për prodhimin e produkteve dhe materialeve që shkelin të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta konfiskohen.
