Tiranë, po mbahet konferenca me temën "Radikalizmi fetar dhe ekstremizmi"

НАЈНОВИ ВЕСТИ

Lufta kundër ekstremizmit fetar ka mbledhur sot në një tryezë të përbashkët në Tiranë; ministra, ambasadorë, krerët e komuniteteve fetare dhe shoqërinë civile, me iniciativë të Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim.
Sajmir Tahiri, ministër i Brendshëm gjatë kësaj konference me temë: “Radikalizmi fetar dhe ekstremizmi”, theksoi se qeveria e ka prioritet luftën kundër radikalizmit fetar.
Tahiri nënvizoi faktin se toleranca fetare në Shqipëri është element kyç kundër ekstremizmit, por shtoi se do të ndiqentë gjithë personat që synojnë pjesëmarrjen në luftërat e ekstremizmit. Në këtë drejtim ministri Tahiri vuri në dukje edhe faktin se rol të rëndësishëm në luftën kundër ekstremizmit fetar do të kenë edhe bashkitë e reja në vend, sipas ndarjes së re territoriale.
“Toleranca fetare konsiderohet në Shqipëri si një ndër elementët kyç për kundërvënien e përbashkët ndaj radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Ndarja e re territoriale na imponon një rol të ri dhe qasje të re të të zgjedhurve vendorë, të këshillave bashkiake, por dhe të çdo agjenti komunitar në 61 bashkitë duke i dhënë rolin që duhet komuniteteve vendore të zgjedhurve vendorë dhe bashkëpunimit që duhet të kenë me komunitete fetare dhe institucionet vendore, shoqërinë, mediat lokale për të ndërtuar mjedise më të sigurta në çdo komunitet dhe për të parandaluar çdo tendencë radikalizi,” tha ministri Tahiri.
Kreu i Komunitetit Mysliman, Skënder Bruçaj, theksoi se në luftën kundër ekstremizmit radikal duhet të bëhen të gjithë bashkë. Ai u shpreh se ekstremizmi radikal është kërcënim për të gjithë botën. Duke cituar Kuranin, Bruçaj u shpreh se në të theksohet “Kush vret një njeri, vret njerëzimin”.
Bruçaj u ndal edhe në rolin që duhet të ketë gruaja për të luftuar radikalizmin nëpërmjet edukimit dhe ndërgjegjësimit të fëmijëve.
“Në luftën kundër ekstremizmit radikal duhet të jemi të gjithë së bashku, si shteti shoqëria civile dhe sidomos ne komunitetet fetare. Ne si Komunitet Mysliman i Shqipërisë përherë kemi denoncuar çdo sulm, çdo akt barbar, që cenon lirinë dhe të drejtat e individit, por në të njëjtën kohë edhe me anë të instrumentave të ndryshme jemi munduar të ndërgjegjësojmë besimtarët për qëndrimet e tyre. Ndërgjegjësimi i individëve për pranimin e diversiteteve; rimodelimi i grupeve të ndryshme sociale me orientim tolerant dhe të respektueshëm, për të gjithë diversitetet sociale kulturore dhe religjione. Grave u duhen dhënë më shumë rol pasi jemi koshient se janë partnere mjaft të mira në parandalimin dhe kundërpërgjigjen që ato mund të luajnë, në identifikimin e shenjave të radikalizmit. Për këtë arsye Zyra e Gruas n ë Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, ka ndërmarrë një seri nismash mjaft frytdhënëse për përhapjen e mesazhit të paqes dhe tolerancës te gratë në të gjithë vendin,” tha Skënder Bruçaj, kreu i KMSH-së.
Edhe ambasadori amerikan Donlad Lu, pjesëmarrës në këtë konferencë u ndal në rolin që kanë gratë dhe nënat për të edukuar fëmijët e tyre kundër radikalizmit. Ai solli një shembull konkret në këtë aspekt se si një grua me emrin Salma, djali i së cilës u hodh në erë në një sulm kamikaz, ndërmorri një nismë për ndërgjegjësimin e grave të tjera për të shpëtuar fëmijët e tyre dhe gjithë shoqërinë nga veprime të tilla ekstreme.
“Nënat mund të sjellin ndryshim në parandalimin e radikalizmit të fëmijëve të tyre dhe ti bindin ata të mos ndërmarrin veprime të rrezikshme. Në projektin perëndimor në Lindjen e Mesme; “Gratë pa kufi”, punojnë me një grua të quajtur Salma, fëmija adoleshent i të cilës e hodhi veten në erë në një sulm kamikaz. Salma iu përgjigj humbjes së saj duke krijuar një vend të sigurtë në shtëpinë e saj për nënat; për të biseduar me to për zbulimin e shenjave të radikalizmit dhe për ti trajnuar se si ta ngrenë zërin e tyre. Nëse ajo do të kishte patur kurajon dhe të fliste me të birin ndoshta kjo tragjedi mund të mos kishte ndodhur kurrë,” tha Donald Lu, ambasador i SHBA-ve në Tiranë.
Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim ka realizuar një studim mbi përhapjen e radikalizmit fetar dhe ekstremizmit të dhunshëm në Shqipëri. Studimi konstaton se ndonëse radikalizmi fetar në Shqipëri është në fazat e hershme të tij, mungesa e vëmendjes dhe masave mund të çojë në përkeqësimin e fenomenit. Rreth 49 % e të anketuarve nga IDM kanë thënë se mundësitë e ulë ta për punësim apo arsimimi i ulët janë faktor që çojnë në radikalizëm të të rinjve. Rreth 12 % e të anketurave besojnë se në komunitetin e tyre ka individë që nxisin radikalizmin islamik.