Mbi 2 mijë refugjatë kanë hyrë sot nga territori i Serbisë në atë të Kroacisë, me qëllim që të vazhdojnë më tutje rrugëtimin e tyre drejtë shteteve të zhvilluara evropiane. Autoritetet kroate njoftuan se që nga 16 shtatori, mbi 27 mijë refugjatë kanë hyrë në vend.
Rreth 50 autobusë, që transportuan rreth 2500 refugjatë, arritën sot në mëngjes në brezin kufitar të Serbisë me Kroacinë.
Pas zbarkimit në qytetin e Shidit, fluksi i njerëzve, të cilët kishin udhëtuar nga qendra e pranimit në qytetin e Preshevës, vazhduan në këmbë rrugëtimin e tyre nëpër fusha, para se të arrinin në kalimin zyrtar kufitar mes qyteteve Shid në serbi dhe Tovarnikut në Kroaci.
Refugjatët u grumbulluan në kalimin kufitar, i cili aktualisht është i mbyllur për komunikacionin e rregullt, para se të hipnin në autobusë që udhëtonin drejtë stacionit të trenit në Tovarnik dhe qytetit Beli Manastir, rreth 100 kilometra larg kufirit me Hungarinë.
Policia kroate ka njoftuar se mbi 27 mijë refugjatë kanë hyrë në vend që nga 16 shtatori, dita kur Hungaria mbylli kufirin me Serbinë.
Vetëm disa ditë më vonë, Kroacia deklaroi se nuk është në gjendje ti bëjë ballë fluksit të madh të refugjatëve dhe se do të ndihmojnë njerëzit që të udhëtojnë nëpër territorin kroat.
Autoritetet kroate kanë përdorur autobusët dhe trenat për të transportuar refugjatët drejtë kufijve me Slloveninë dhe Hungarinë, që të dy këto shtete anëtare të zonës Shengen./ 21 Media
