Për herë të parë azilkërkuesit në Zvicër do të flenë nëpër tenda. Për këtë qëllim, ushtarët do të ngrenë tenda të ushtrisë në kantonin e Argaut, ka njoftuar gazeta Noje Cyrisher Zajtung. Që nga java e ardhshme, në këto tenda do të jetojnë 140 persona.
Një zëdhënës deklaroi se për shkak të valës gjithnjë e më të madhe të imigrantëve, kantoni nuk është në gjendje të ofrojë objekte për vendosjen e tyre. Është paraparë që vendosja në tenda të jetë e përkohshme, pra vetëm gjatë verës.
Sipas të dhënave të sekretariatit shtetëror për migracion në Bernë, vetëm gjatë gjashtë muajve të parë mbi 12 mijë persona kanë kërkuar azil në Zvicër, një rritje kjo prej 16 për qind, për dallim nga periudha e njëjtë vitin e kaluar. Deri në fund të vitit, autoritetet zvicerane llogarisin me 29 mijë kërkesa. Numri më i madh i kërkesave për azil në Zvicër është regjistruar gjatë luftës në Kosovë, në vitin 1999, kur azil kërkuan 47 mijë njerëz. Në Zvicër refugjatet shpërndahen në 26 kantonet e vendit, në bazë të kuotave të përcaktuara./21Media
