Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Komuna e Kaçanikut janë lodhur nga mospublikimi i një pjese të listave të veteranëve dhe nga mosfillimi i zbatimit të ligjit në lidhje me këto lista.Për këtë arsye ata sot , duke filluar nga ora 12:00, kanë paralajmëruar protestë masive, ku pritet që të gjithë veteranët e Kaçanikut, por edhe mijëra banorë të tjerë të kësaj ane, të bllokojnë magjistralen Kosovë-Maqedoni.
Anëtari i Kryesisë së Shoqatës së Veteranëve, Hajrullah Shehu, i cili është nga kjo komunë, ka thënë për kp përmes telefonit se ata janë lodhur nga këto gënjeshtra dhe nuk kanë më zgjidhje tjetër. “Jemi lodhur më nga kjo gjendje. Ne nesër do ta bllokojmë magjistralen Kosovë-Maqedoni dhe nuk do ta lirojmë edhe sikur të na fusin në burg. Se më mirë është të na fusin në burg sesa të rrimë në shtëpi, se nuk kemi ku të qëndrojmë më. Për këtë do të dalim të gjithë, edhe fëmijët do të na bashkëngjiten, se nuk po mundemi më”, tha Shehu.
Shehu është i bindur se ankesat tashmë janë shqyrtuar, por me qëllim është duke u vonuar publikimi i tyre, vetëm që të shtyhet koha për zbatimin e ligjit.“Kërkesa jonë është që të zbatohet ligji i listave dhe jo të lihet për në vitin e ardhshëm, se edhe në vitin e ardhshëm do të na bëhet e njëjta gjë. E jam i bindur se 99 % e kërkesave tashmë janë të shqyrtuara”, tha ai.
Udhëheqësi i Këshillit për Mbrojtjen e Veteranëve të UÇK-së, Xhevdet Qeriqi, ditë më parë ka bërë të ditur se veteranët e Kaçanikut, të cilët janë organizatorë të kësaj proteste, do të bllokojnë magjistralen Kosovë – Maqedoni, por ka sqaruar se të bllokuar nuk do të jenë qytetarët që me veturat e tyre do kalojnë nëpër këtë rrugë, porse kamionët me mallra që do të vijnë nga Maqedonia
