''Fshatrat e kryeqytetit me halle të mëdha''

НАЈНОВИ ВЕСТИ

Drejtori i Drejtorisë së Infrastrukturës Lokale në Komunën e Prishtinës, Hysen Durmishi është përballë me kërkesa të shumta nga banorët e fshatrave Bardhosh, Bërnicë, Trudë dhe Sinidoll.
Gjatë një diskutimi publik që pati Durmishi me banorët e këtyre fshatrave, këta të fundit raportuan për pamjaftueshmërinë e furnizimit me ujë të pijes gjatë sezonit veror, nevojën e një trafostacioni të ri shkaku i shtimit të numrit të shtëpive, lirimin e pronave të uzurpuara si dhe ndërtimin e trotuareve në rrugën kryesore për çështje të sigurisë së nxënësve.
Gjithashtu, banorët e Bardhoshit të ultë nga Durmishi, kërkuan edhe ndërtimin e një shkolle të re në këtë fshat.
Po ashtu, kërkesë tjetër ishte që disa prej lagjeve të këtyre fshatrave të përfshihen në projektin për zgjerimin ndriçimit publik. Shumica prej tyre, i dorëzuan të gatshme kërkesat me shkrim tek autoritetet komunale.
E në anën tjetër, sa i përket problemeve me energji elektrike dhe furnizimit me ujë të pijshëm, Durmishi i udhëzoi të pranishmit që t’i adresojnë këto probleme tek organet kompetente, ujësjellësi regjional, respektivisht KEDS-i.
Në pyetjen e banorëve, Durmishi po ashtu i informoi të pranishmit se kyçjet individuale në rrjetin e kanalizimeve duhet të bëhen nga ana e banorëve, ngaqë Komuna e siguron vetëm rrjetin primar.
Në këtë diskutim, Durmishi tha se pavarësisht se janë të shumta problemet me të cilat përballet Komuna e Prishtinës, e në veçanti fshatrat përreth, qëllimi i diskutimeve publike është që bashkërisht me banorët të përcaktohen prioritetet e investimeve.
Komuna e Prishtinës njofton se diskutimi i ardhshëm publik do të mbahet me datë 26 qershor 2015, në shkollën fillore “7 Marsi”, me banorët e lagjes “Kalabria”.