Presidentja e Republikës së Kosovës Atifete Jahjaga u takua sot në Nju-Jork me presidentin e Këshillit të Deputetëve dhe ushtruesin e detyrës të presidentit të Libisë, Agila Saleh, me të cilin ka biseduar për thellimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet dy vendeve dhe përkrahjen reciproke ndërmjet Kosovës dhe Libisë.
Jahjaga ka vlerësuar bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve dhe ka kërkuar përkrahjen e Libisë për njohjen e pavarësisë së Kosovës në kontinentin afrikan, si dhe për anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, me theks të veçantë anëtarësimin e Republikës së Kosovës në UNESCO.
UD i Presidentit të Libisë Saleh ka theksuar se Libia do të vazhdojë bashkërendimin e përafërt me Kosovën për ta mbështetur atë në arenën ndërkombëtare si dhe për të përkrahur procesin e anëtarësimit në UNESCO. Ai ka theksuar se Kosova është shembull i progresit të vendeve që dalin nga konflikti. Saleh gjithashtu ka kërkuar ndihmën e Kosovës në këmbimin e përvojave të shtetndërtimit dhe bashkëjetesës, duke vlerësuar Kushtetutën e Kosovës si model për hartimin e Kushtetutës së re të Libisë, thuhet në njoft imin e Zyrës së Presidencës.

