Në kushte fiziologjike djersitemi për shkak të veprimtarisë së shtuar fizike. Nxjerrja e djersës në këtë rast ndihmon në uljen e temperaturës së trupit. Po ashtu djersitemi shumë në verë, sepse temperaturat janë më të larta dhe djersitja bën një ruajtje të temperaturës midis temperaturës së jashtme dhe të brendshme.
Djersitja e tepërt
Përveç djersitjes fiziologjike të nevojshme për të ruajtur ekuilibrin termik të organizmit, mund të ndodhë djersitja e tepërt ose e shtuar (hiperhidroza), që për mjekët, përveçse një sëmundje e lindur, mund të jetë “sinjal alarmi” për çrregullime endokrine, përfshirë këtu sëmundjet e tiroides, sëmundjen e diabetit, e deri edhe sëmundjet malinje. Edhe temperatura e lartë shoqërohet gjithmonë me djersitje, pas marrjes së substancave që e ulin atë. Gjithashtu menopauza e shtatzënia mund të sjellin shtim të djersitjes.
Kështu, këshillohen disa norma higjienike, si: Të përdoret sapun dhe detergjentë që respektojnë ph e lëkurës, të lahen shpesh duart, të shmangen substancat irrituese, të bëhet kujdes për plagët e lëkurës sado të vogla qofshin, të shmangen alkooli, duhani, kafeja, erëzat pikante etj.
Në përgjithësi, zgjidhja e parë për format e buta është me antidjersë me bazë kripërash të aluminit, ose alumin zirconium. Shumë persona i ngatërrojnë këto produkte me deodorantët, që sjellin shmangien e erërave të pakëndshme në trup dhe nuk ndikojnë në prodhimin e djersës. Megjithatë, në shitje ka edhe antidjersa me veprim deodoranti, për një aromë më të mirë.
Edhe depilimi ose heqja e qimeve në vendet që djersiten, është një hap në luftë ndaj erërave të pakëndshme. Largimi i qimeve pengon mbajtjen e djersës dhe ndryshimin e përbërjes së saj kimike.
Pastrimi i rregullt, disa herë në ditë, po ashtu ndihmon shumë, por uji duhet të jetë i vakët. Nëse bëni dush me ujë të ftohtë, trupi tenton ta rikthejë sa më shpejt temperaturën, nxehet dhe atëherë sërish filloni të djersiteni.
Deodorantet është mirë të përdoren pas pastrimit, ndërsa shmangni parfumet e rënda, sidomos gjatë ditëve të nxehta të verës.
Një tjetër ilaç është iontophoresis, i cili synon të zvogëlojë sekretimin e gjëndrave ekrine duke përdorur elektricitet në një intensitet të ulët. Në përgjithësi rezultatet janë të kënaqshme pas 10-15 seancash.
