Me rastin e vdekjes së akademik Esat Stavilecit, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka ngushëlluar familjen Stavileci. Duke iu drejtuar familjes Stavileci, kryekuvendari Veseli thekson: “Lufta jonë e gjatë për liri dhe pavarësi nuk ka qenë vetëm luftë politike dhe e armatosur, por edhe përballje me argumente juridike. Profesor Esat Stavileci ishte zë i fuqishëm i Kosovës në këtë përballje. Nderim emrit dhe punës së tij të gjatë e të palodhshme për të mirën e atdheut tonë”, theksohet në ngushëllimin e kryekuvendarit Veseli.
————
Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së, e ka ngushëlluar familjen Stavileci, komunitetin shkencor dhe akademik si dhe studentët e Kosovës, për vdekjen e Akademik Esat Stavilecit.
“Akademik Stavileci, do të kujtohet gjithmonë si njëra prej mendjeve të ndritura të Kosovës. Ai ishte frymëzim jo vetëm për studentët dhe bashkëpunëtorët e tij, por për gjithë popullin e Kosovës”, thuet nder te tjera ne telegramin e Haradinajt.
———————-
Lëvizja “Vetëvendosje” me anë të një komunikate ka ngushëlluar familjen Stavilevci me rastin e vdekjes së akademik Esat Stavilevci, dje pasdite.
“Me pikëllim morëm lajmin për ndarjen nga jeta të akademik Esat Stavilecit. Vdekja e tij nuk është humbje vetëm për familjen dhe të afërmit. Nëse familjes do t’i mungojë afërsia e anëtarit të saj, studentëve do t’ju mungojnë udhëzimet e profesorit e urtësia e tij, kurse qytetarëve mbarë analizat e holla e qëndrimet e mprehta të intelektualit që dijen profesionale e ushtron gjithmonë në përputhje me interesin publik”, thuhet në ngushëllimin e Vetëvendosjes.
